Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Skandali: Qeveria fshin nga Fletorja Zyrtare VKM-në për pronat në bregdet, pas...

Skandali: Qeveria fshin nga Fletorja Zyrtare VKM-në për pronat në bregdet, pas presionit të Athinës

Skandali: Qeveria

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë më 27 shkurt të këtij viti vendosi pezullimin e procesit të dhënies së titujve të tokave bujqësore të cilësuara si AMTP në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, të cilat njihen si zona që kanë përparësi turizmin.

VKM-ja me numër 172 që mban titullin “Për pezullimin e përkohshëm të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në mbështetje të projekteve investuese në turizëm” u miratua, por ndryshe nga gjithë VKM-të e tjera nuk u publikua në faqen kryeministria.al.

Katër ditë më parë ajo u shfaq në Fletoren Zyrtare me numër 43. Pastaj u zhduk.

Po ta klikosh sot, vendimi nuk është më i aksesueshëm.

Ky akt i paprecedentë erdhi menjëherë pas reagimit të ashpër që mbajti kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras në lidhje me atë që kryeministri grek e quajti “proces i bllokimit të pronave të minoritetit grek në zonën e Himarës”.

Çfarë përmbante VKM e zhdukur

VKM-ja e zhdukur parashikonte pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në mbështetje të projekteve investuese në turizëm.

Aty shtohej që zbatimi do kryhej: “sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi, publikuar edhe në Gjeoportalin Kombëtar, të administruar nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeo-hapësinor (ASIG), deri në kalimin / regjistrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore, në zbatim të nenit 34, të ligjit “Për turizmin”.

“Pasuritë e paluajtshme, në pronësi të shtetit, që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, me përjashtim të zonave të mbrojtura dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda 2 muajve nga miratimi i zonës, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin. Pasuritë e paluajtshme, në administrim të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda 2 muajve nga miratimi i zonës, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin. Këshilli i Ministrave, rast pas rasti, miraton me vendim të veçantë transferimin, në favor të shtetit, të pasurive të paluajtshme në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit”, – shkruhej aty.

Vendimi i Keshllit te Ministrave i botuar ne Fletoren Zyrtare dhe me pas i fshire

Vendimi pezullon dhënien e titujve të pronësisë për ato prona që janë në proces. Ai përfshin komplet vijën bregdetare të Shqipërisë. Në të i kërkohet njësive të vetëqeverisjes vendore, territori administrativ i të cilave përfshihet në hartën shoqëruese të vendimit, të pezullonin procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, pavarësisht nga faza procedurale, menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

“Pasuritë e paluajtshme, që ndodhen në zonat në të cilat nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar, regjistrohen në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit fillestar”, thuhet në pikën 4 të kësaj VKM-je.

Reagimi i ashpër i Greqisë, Tirana fshin VKM-në

Vendimi solli një reagim të ashpër të kryeministrit të Greqisë Aleksis Tsipras. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ai paralajmëroi Shqipërinë se vendimi i marrë për pronat do të ndikojë në procesin e integrimit në BE.

“Për fat të keq, kohët e fundit shohim zhvillime që nuk na kënaqin. Sot mësoj se ka një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri. Nëse kjo është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ dhe është një zhvillim që në këtë moment nuk na jep optimizmin për sa i përket ecurisë kritike europiane të këtij vendi, që përballon sfida të rëndësishme, ndaj të cilave duhet të përgjigjet. Parakushtet për të lëvizur në drejtimin e mbështetjes së kësaj ecurie, nëse informacioni që kemi është real, nuk ekzistojnë. Shpresoj të mos jetë i vërtetë, sepse vullneti ynë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrim hapa për ta bërë perspektivën europiane një realitet”, tha kryeministri i Greqisë në konferencën për shtyp të dhënë në Bukuresht së bashku me homologen rumune.

Mediat greke raportuan disa ditë më parë se deklarata e Tsipras i referohet një informacioni se konkretisht qeveria shqiptare ka konfiskuar prona të minoritetit grek në Himarë. “Përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare, por ky vendim u fshi nga qeveria shqiptare nga Fletorja Zyrtare pas deklaratës së Cipras” – shkruante agjensia greke e lajmeve. (kliko KËTU)

Mesazhi i DITA për kryeministrinë, pa përgjigje

Një VKM, minimalisht duhet shfuqizuar.  Dita i kërkoi dy ditë më parë reagim drejtorit të Komunikimit në Kryeministri, z.Endri Fuga.

Teksti i nisur nga redaksia për z.Fuga:

“z.Fuga, pak ditë më parë është miratuar një VKM për pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-NB-ve, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në mbështetje të projekteve investuese në turizëm. Pasi është botuar në Fletoren Zyrtare, është fshirë prej aty. A është shfuqizuar dhe për çfarë arsye? A ka patur ndonjë takim që ka sjellë ndryshimin e qëndrimit të qeverisë për pronat në jug? A ka lidhje kjo me zhdukjen e VKM online?”

Zyrtari i lartë i Kryeministrisë nuk iu përgjigj këtij mesazhi.

****

Botuar sot në Dita

Share: