Home KRYESORE A e keni vënë re që gratë e zgjuara, vështirë se gjejnë...

A e keni vënë re që gratë e zgjuara, vështirë se gjejnë burrë?!

Nga Mirela Cela Jorgo

Edhe kur e gjejnë, sërish vështirë e kanë ta mbajnë, pavarësisht zgjuarsisë.

Nuk janë thjesht legjenda, por statistika edhe të ditëve të sotme.

Mençuria është bekim, por ndonjëherë për gratë është edhe telash më vete.

Hall të jesh e zgjuar e hall jo

Një histori shumë të bukur nga rrëfimet e moçme shqiptare.

Historia e gruas së mençur, që e bëri burrin “për vete”

Na rronte njëherë një prijës i ri, që njihej jo vetëm për trimërinë, por kryesisht për karakterin e harbuar e tekanjoz.

Njëherë ai thirri me plakun e fshatit të rripte një gur dhe, pastaj të përgatiste një drekë për të ftuarit e tij.

Plaku, i zënë ngushtë u kthye në shtëpi i vrerosur dhe i tregoi vajzës së tij të vetme për urdhrin e çuditshëm të prijësit.

Vajza ishte e re, shumë e bukur, por edhe shumë mendjeprehtë.

Ajo e qetësoi të atin dhe i premtoi se do ta ndihmonte.

Dhe me të vërtetë, në mëngjez shkoi te babai i saj me një habxhar në dorë dhe i tha:

“Jepja këtë thikë prijësit dhe i thuaj ta therrë në fillim gurin, e pastaj ti mund ta rrjepësh e t’i marrësh lëkurën”.

Plaku veproi tamam ashtu siç e mësoi e bija.

Prijësi u zemërua dhe i tha:

– Ku ke ndëgjuar or plak, që të therret guri? Mos kërkon të tallesh me mua?

Plaku u përkul tërë nderim dhe iu përgjigj:

– Nuk guxoj të të kundërshtoj, o prijës, po ku është ndëgjuar të rrjepësh lëkurë nga një gur?!

Prijësit i pëlqeu përgjigja dhe duke marrë vesh se fjalët e plakut dilnin nga mendja e së bijës, u martua me të.

Vështirë e pati prijësi me gruan e tij të re.

Ajo doli më e zgjuar nga i shoqi dhe kjo cënoi keq sedrën e sëmurë të prijësit, aq sa vendosi të ndahet prej saj, megjithëse e donte si më parë.

– Unë po shkoi për gjueti, por ki mendjen, nëse ti para kthimit tim do të zgjidhësh qoftë edhe një çështje, me mua nuk ke punë më, do të ndahemi njëherë e mirë.

Kaloi një ditë, dy apo më tepër dhe te fqinjët erdhi një mik.

Natën pela e mikut polli një mëz.

Në mëngjez miku, kur mori vesh lajmin u gëzua shumë, por të zotët e shtëpisë filluan të ngulnin këmbë se mëzin e polli qerrja, ku ishte lidhur pela dhe u takonte atyre mëzi.

Filluan të grindeshin dhe për të sheshuar problemin vendosën të ftojnë gruan e prijësit.

Dhe kjo erdhi, por me mjaft vonesë.

Ajo kërkoi ndjesë për vonesën duke u shfajësuar se rrugës, duke ardhur, pa përroin që kishte marrë zjarr dhe e shojti, duke i hedhur fletë të thata.

Të gjithë u habitën.

Edhe miku edhe të zotët e shtëpisë.

– Zjarrin e shuajnë me ujë e jo me fletë të thata, e pastaj, ku është dëgjuar që të digjet uji?!- thanë ata.

Gruaja e prijësit qeshi nën buzë dhe u përgjigj:

– Po qe se e keni të qartë se kjo nuk ndodhë, si nuk mund të kuptoni se qerrja s’mund të pjellë mëza?

Në këtë mënyrë u zgjidh edhe grindja në dobi të mikut.

Kur u kthye nga gjuetia, prijësi mori vesh që gruaja e tij kishte shkelur porosinë çfarë i kishte dhënë që mos zgjidhte asnjë problem.

Ai tha gruas të marrë me vete gjithçka dhe çfarëdo që dëshiron, por të largohet nga shtëpia e tij e të shkojë tek familja e saj, apo ku të dëshirojë.

– Mirë, unë pranoj, por para se të largohem, dëshiroj të hamë sëbashku darkën e fundit të lamtumirës, – u lut ajo dhe, pasi mori pëlqimin e të shoqit, shtoi sofrën.

Gjatë darkës ajo e dehu të shoqin, pastaj, me kujdes, që të mos zgjonte, e ngarkoi në qerre dhe sëbashku me të, u nis për te prindërit e saj.

Rrugës prijësi u zgjua dhe i habitur tha:

– Ku po më çon kështu?

E shoqja, si gjithnjë, u përgjigj qetë:

– Si, ku? A më urdhërove të largohem nga shtëpia jote dhe më lejove të marr me vete gjithçka më nevojitet dhe çfarëdo që dua? E pra, unë ty të dua më tepër dhe asgjë tjetër. Prandaj të mora vetëm ty për të shkuar të jetoj me prindërit e mi.

Prijësi i habitur me mendjen e mprehtë të gruas u kthye në shtëpi dhe jetoi i lumtur me gruan e tij…

Share: