Home KRYESORE Kriza politike, jepet formula, Krasniqi: Koha që partitë të ndahen nga shteti

Kriza politike, jepet formula, Krasniqi: Koha që partitë të ndahen nga shteti


Prej muajsh Shqipëria është futur në një krizë politike, e cila riciklohet sa herë që vendi i afrohet zgjedhjeve. Prej dy vitesh përplasjet politike po mbizotërojnë dhe shkak për këtë është mosbesimi i partive (opozita) për një proces të rregullt zgjedhor. PD, LSI dhe aleatët e tjerë dorëzuan mandatet e deputetëve, u larguan nga Parlamenti dhe tashmë po refuzojnë në bllok që të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Kjo krizë politike sipas katër OJF-ve shqiptare, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI); Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS); Instituti i Studimeve Politike (ISP); Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSGD) mund të zgjidhet vetëm me marrjen e tre hapave kryesore.

“Shkaktari” i krizës është sistemit aktual politik dhe për këtë propozohet ndryshimi, duke nënkuptuar ndryshimin në Kushtetutë. Ato propozojnë tre hapa konkrete që synojnë zgjidhjen e krizës politike. “Çdo ndryshim i tillë duhet të prekë: 1. Reformën zgjedhore, duke përfshirë miratimin e një sistemi zgjedhor që garanton; përfaqësim sa më të mirë dhe qeverisje të qëndrueshme, si dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë brenda partive politike; 2. Forcimin e angazhimit të qytetarëve shqiptarë në vendimmarrjen e politikave përmes rishikimit të kuadrit ligjor për peticionet, referendumet dhe nismat ligjore; 3. Forcimin e integritetit të institucioneve shtetërore, të fokusuar tek mirëqeverisja e tyre dhe lufta kundër krimit të “jakave të bardha”, thuhet në propozimin e 4 shoqatave. 

Faksimile e deklaratës 4 shoqatave për krizën politike

Afrim Krasniqi, drejtori i Institutit të Studimeve Politike për Gazeta Sishpjegon se deklarata e lëshuar jep arsyet për shkaktarët e krizës politike, ku burimin kryesor e ka te ndryshimet kushtetuese e vitit 2008. Ai e sheh këtë zgjidhje me dobësimin e kushtetues, te liderët partiakë dhe forcimin e institucioneve.
Z.Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike së bashku me tre OJF të tjera kanë përpiluar një deklaratë në cilën parashtroni tre pika për zgjidhjen e krizës politike. Në panoramën që ju paraqisni “fajësoni” të gjitha partitë politike për situatën e krijuar. A mund të jenë këto propozime dhe si “busull” për partitë politike për zgjidhjen e krizës politike? 
Nuk është qëllimi ynë të konsiderojmë faktorë të gjitha palët, por të identifikojmë qartësisht faktin se sistemi aktual partiak dhe ai përfaqësues që buron nga ndryshimet kushtetuese 2008 janë burimi kryesor i krizës së sotme dhe krizave periodike politike. Partitë tona kanë mbi pushtet, sa shpeshherë e kemi të vështirë të gjejmë pikë ndarëse midis partive dhe shtetit, koncept që duhet ta kishim lënë pas që në fillim të viteve ‘90.

Tani është koha që qartësisht të bëjmë ndarjen midis partive dhe shtetit, të investojmë në forcimin e institucioneve dhe dobësimin kushtetues të liderëve partiakë, të kalojmë sovranitetin nga klientelat e kryetarëve tek shumica qytetare si mundësi që më pas sistemi partiak e përfaqësues të bëhen më të hapura, më konkurruese dhe më efektive. Nëse ka parti, politikanë, grup apo prurje tjetër që mendon për larg sesa interesi personal i momentit dhe që di të kuptojë cilat janë sëmundjet reale të Shqipërisë, edhe zgjidhja duhet parë siç jemi munduar ta shohim ne, në rrënjët e krizës dhe në zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Partitë me siguri nuk i pëlqejnë kritikat dhe sugjerimet që iu bëhen nga jashtë tyre, por sa më zë të lartë dhe sa më shumë tua themi, aq më shumë rritet presioni pozitiv publik për ti detyruar ato të reagojnë e të përshtaten me realitetet e reja.

Opozita ka opsionin e shtyrjes së zgjedhjes lokale, mbajtjes së tyre njëherësh me ato parlamentare të parakohshme, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Nga ana tjetër maxhoranca është e vendosur për të shkuar në zgjedhjet lokale, edhe pse PD dhe aleatët e saj kërcënojnë me prishje të procesit… 
Nuk ka krizë pa zgjidhje, gjithnjë ka opsione të hapura dhe ka disa skenarë që mund të merren në konsideratë. Për këtë vetëm duhet vullnet pozitiv dhe lidership politik. Dy cilësi që aktualisht mungojnë qoftë tek pala në mazhorancë, qoftë tek ata në opozitë. Ka një shprehje gjermane që ia vlen të kujtohet, – në momentin kur mendoni se gjendeni në rrugë pa zgjidhje ikni nga vendimet e nxituara dhe silluni sikur po e gjykoni këtë rast pas 30 vitesh.


Çfarë do u themi pas 30 vitesh brezave të rinj për krizën e sotme dhe krizat periodike të tranzicionit? Që ishin gabime historike, që ishin tërësisht të evitueshme, që patëm politikanë që menduan vetëm për veten dhe jo për vendin, që patëm ca elita të korruptuara, që ishin grindje luksi dhe klientelash, që ca njerëz na morën peng përfaqësimin dhe të drejtat, që humbëm vite shanse integrimi e zhvillimi për shkak të konfliktit politik e të personalizuar midis 3-4 emrave?

Natyrisht këtë do ua themi sepse kjo është një pjesë e përgjigjes së saktë. Nëse kryeministri e partia e tij, opozita dhe oborri i saj, do ta gjykonin të sotmen me sytë e pas 30 viteve, zgjidhja do arrihej për 5 minuta. Për sa kohë kjo nuk ndodh, për sa kohë partitë nuk prodhojnë demokraci dhe as ide politike, për sa kohë vendimet e mëdha janë të personalizuara, është e vështirë të pritet zgjidhje e qëndrueshme dhe reale. 

Sipas jush, si mund të zgjidhet kjo krizë politike? Në tre pikat kryesore të platformës që ju keni paraqitur, cilën prej tyre e shihni si më të realizueshme në një afat kohor sa më të shkurtër?
Reformimi i ligjit të partive politike dhe sistemit zgjedhor, për ti përshtatur partitë me tri parimet e nenit 9 të Kushtetutës, – organizim demokratik, ndarje nga shteti dhe transparencë financiare, – dhe për ta kthyer sistemin përfaqësues në sistem real konkurrues me legjitimitet direkt qytetar, – mjaftojnë këto që kriza aktuale të zgjidhet dhe krizat e ardhshme të parandalohen.

Me siguri partitë e mbështetësit e tyre mendojnë ndryshe, por është detyra dhe përgjegjësia jonë të ofrojmë rrugëzgjidhje, së paku përmes fjalës, dhe më pas edhe përmes nismës ligjvënëse për paketën e mësipërme reformuese.

Propozimet për krizën të 4 shoqatave

Reformën zgjedhore, duke përfshirë miratimin e një sistemi zgjedhor që garanton përfaqësim sa më të mirë dhe qeverisje të qëndrueshme, si dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë brenda partive politike

Forcimin e angazhimit të qytetarëve shqiptarë në vendimmarrjen e politikave përmes rishikimit të kuadrit ligjor për peticionet, referendumet dhe nismat ligjore

Forcimin e integritetit të institucioneve shtetërore, të fokusuar tek mirëqeverisja e tyre dhe lufta kundër krimit të “jakave të bardha”.

RRUGA DREJT ZGJIDHJES
Ligji i ri për partitë që rregullon funksionimin e partive politike që siguron zbatimin e demokracisë të brendshme funksionale, duke përfshirë edhe procedurën e vendimmarrjes; siguron konkurrim të brendshëm të shëndetshëm bazuar tek vlerat dhe meritokracia; krijon një mekanizëm të zgjedhjeve që nxit garën e brendshme.

Kufizim të përdorimin e pushtetin politik nga partitë politike: depolitizim të strukturave të administrimit të zgjedhjeve; të forcojë institucionet kushtetuese dhe jo drejtuesit e partive, të lejojë zbatimin efiçent, monitorimin dhe transparencën e mekanizmave kushtetues të kontrollit.

Detyrimin për transparencë të përhershme financiare të partive politike: Të ndajnë qartë burimet shtetërore nga fushatat zgjedhore; Lejojnë hetimin e thellë të financimeve informale dhe/ apo jozyrtare të partive politike./gazeta.si

Share: