Home KRYESORE Inagurohet Qendra Shendetesore ne Ndroq

Inagurohet Qendra Shendetesore ne Ndroq

Qendra shëndetësore Ndroq e cila po rehabilitohet në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore do t’u shërbejë 9,500 banorëve të zonës. Kjo qendër po rehabilitohet si pjesë e 100 qendrave shëndetësore këtë vit, pas rehabilitimit të ambulancës “Lagjia e Re” Ndroq gjatë fazës së parë të rehabilitimit të 80 qendrave shëndetësore.

Ndroq, 31 Korrik – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet e qendrës shëndetësore Ndroq, e cila po rehabilitohet në kuadër të programit të 300 qendrave shëndetësore. E shoqëruar nga deputeti i zonës Arben Pëllumbi, Manastirliu u shpreh se kjo qendër do të ofrojë shërbime shumë më cilësore për 9,500 banorët e Ndroqit. 

Në fjalën e saj Manastirliu theksoi se në qarkun Tiranë janë rehabilituar 14 qendra shëndetësore dhe ambulanca që ofrojnë shërbime shëndetësore në kushte shumë të mira. 

“Jemi këtu për të inspektuar punimet që kanë filluar në qendrën shëndetësore Ndroq, një qendër që i shërben 9,500 banorëve. Në kuadër të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, kjo qendër është planifikuar për t’u rehabilituar dhe për të ofruar shërbime shumë më cilësore për banorët e Ndroqit. Ne kemi përfunduar 80 qendrat e para shëndetësore dhe në qarkun Tiranë janë 14 qendra shëndetësore dhe ambulanca që tashmë ofrojnë shërbime për qytetarët në kushte shumë më të mira pune për mjekët, për 167 mijë banorë.”, tha Manastirliu.

Duke bërë me dije se brenda vitit do të rehabilitohen edhe 100 qendra të tjera shëndetësore dhe ambulanca, Manastirliu theksoi se qëllimi i qeverisë është ofrimi i shërbimeve socio-shëndetësore, të aksesueshme dhe cilësore për grupet më në nevojë.

“Kur flasim për shërbime cilësore ndaj qytetarëve kemi një vëmendje të posaçme për sa i përket grupeve që marrin shërbime tek kjo qendër, qofshin fëmijët, të moshuarit, persona me aftësi të kufizuara. Po përpiqemi që të kemi shërbime shëndetësore të aksesueshme dhe cilësore për ato grupe që kanë më shumë nevojë.

Nëpërmjet programit tonë të integrimit të shërbimeve socio-shëndetësore do të kemi mundësi që në këto qendra të kemi përveç shërbimit shëndetësor, edhe shërbimin social që është shumë i nevojshëm për gjithë komunitetin”, u shpreh ministrja.

Share: