Home KRYESORE Administrim ndërkombëtar, ambasadori austriak i përgjigjet Voltana Ademit

Administrim ndërkombëtar, ambasadori austriak i përgjigjet Voltana Ademit

Ambasadori austriak në Shqipëri, Johann Sattler i është përgjigjur kryetares së Bashkisë së Shkodrës. Zonja Voltana Ademi, një ditë më parë përmes një letre publike drejtuar disa prej ambasadorëve në Shqipëri, theksonte se Shkodra do të ishte e gatshme të pranonte një komision Administrativ Europian, për të dalë nga kriza politike në vend.

“Në vitet 1913 -1914 dhe 1918-1920 ky qytet me rëndësi vitale për të gjithë kombin, është qeverisur nga komisione ndërkombëtare të fuqive të mëdha. E ndoshta është prapë rasti, dhe jo vetëm për Shkodrën!”, shkroi Ademi.

“Viti 2019 nuk është 1913. Shqipëria synon të nisë bisedimet me Bashkimin Europian. Kjo kërkon aftësi për të zgjidhur problemet politike. Dhe për këtë, stina e konflikteve duhet të pasohet nga stina e zgjidhjes së konflikteve. Shqiptarët duan të shkojnë me pushime të qetë”, shkruan Sattler në një postim në Twitter.

Ndërkohë Valdin Pjetri tha se pret një shtrëngim duarsh me Voltana Ademin, të zgjedhurën e PD-së në 2015-ën e cila duhet t’i dorëzojë detyrën deri më 13 Gusht. Por, edhe nëse ky gjest nuk ndodh, Pjetri thotë se kjo gjë nuk e pengon për të nisur punën.

Sa u përket rezultateve të zgjedhjeve të 30 qershorit, Pjetri tha se është i kënaqur,

“Unë kam marrë 10.2% të votuesve të Bashkisë Shkodër. Në demokraci nuk ka një dysheme për votat që duhet të marrë kandidati për të drejtuar bashkinë”, tha Pjetri./ Opinion.al

Share: