Home KRYESORE Burg për inxhinierët si shërim për aksidentet në punë

Burg për inxhinierët si shërim për aksidentet në punë

Koment nga Ing. Erion Softa

Sot gjykata vendosi burg për dy kolegët tanë inxhinierë, të cilëve iu shemb skela dhe si pasojë, humbën jetën dy punëtorë (ku gjej rastin të ngushëlloj familjet).

Opinioni u qetësua se dikush u burgos dhe mediat dhanë lajmin për ngjarjen, pa marrë asnjë mendim nga inxhinierët specialistë, që çdo ditë punojnë dhe e njohin procesin me imtësi.

Vetëm këta të fundit, që janë zëri ekspert dhe që në këtë rast duhet të fliste i parë, nuk u dëgjua. Këto ditë kanë qarkulluar disa variante: kishte nga ata që thoshin që i vrau kryetari i bashkisë, ndërkohë që bashkia apo inspektorati kanë vetëm rol kontrollues të dokumentacionit teknik dhe asgjë më shumë.

Do të ishte çmenduri që bashkia të kontrollonte teknikisht çdo detaj në objektet që ndërtohen në territorin e saj, aq më tepër kur flasim për një bashki në përmasat e Tiranës.

Por çdo të thotë fjala punëtor në Shqipëri? Do të thotë që çdo njeri që s’ka punë tjetër mund të fillojë punë në këtë sektor. Pa asnjë kualifikim e çertifikim (luftë bëjmë çdo ditë, qoftë dhe për një detaj të rëndomtë, siç është vendosja e kaskës mbrojtëse). E njëjtë është edhe për vinçierë, hidraulikë, elektricistë etj.

Çdo familje që bën punime ndërtimi mund të jetë viktimë e një situate aksidenti. Marrë një shembull, ku një elektricist apo hidraulik, të cilin e kontraktojnë me “shoqni” pa pasur asnjë certifikatë që të vërtetojë që është i aftë dhe nëse atij i ndodh një aksident në punë përgjegjësinë e mban po ai vetë. Pra, duhet të çertifikohen të gjitha profesionet, në mënyrë që çdokush të bëjë punën e tij dhe të mbajë përgjegjësi për sigurinë e jetës së tij dhe kolegëve.

Për sa i përket aksidenteve në punë ato do të vazhdojnë të ndodhin me intensitet, për sa kohë në këtë vend nuk ka institucione të specializuara për të bërë një prove betoni e jo për të rregulluar një proces që zhvillohet çdo ditë.

Procesi i kontrollit dhe ligjshmërisë në ndërtim duhet të filloje nga ndërtimi i minimalisht i një institucioni shkencor, që të përpilojë politika dhe rregulla të përpikta në fushën e ndërtimit; të bëjë oponencë teknike reale për objektet që të garantojnë qëndrueshmërinë dhe jetesën sipas standardeve.

Për sa kohë do të jetë kështu, edhe shteti do të vazhdojë ta shuajë urrejtjen popullore pas tragjedive si ajo e para tre ditëve, duke burgosur inxhinierët./Fast News

Share: