Home KRYESORE GJYKATA DËMSHPËRBLEN PACIENTIN ME HEMOFILI, TOGETHER FOR LIFE PËRFAQËSOI LIGJËRISHT ÇËSHTJEN

GJYKATA DËMSHPËRBLEN PACIENTIN ME HEMOFILI, TOGETHER FOR LIFE PËRFAQËSOI LIGJËRISHT ÇËSHTJEN

Sot, në dt. 31 korrik 2019, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi pranimin e Padisë dhe shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror në masën 2 133 330 lekë të shkaktuar pacientit B. Nezaj, si rezultat i mohimit të trajtimit të duhur mjekësor. Hemofilia është një çrregullim i trashëguar i gjakut i shkaktuar nga mungesa faktorëve të koagulimit dhe godet në mënyrë të veçantë aparatin kockor-artikular-muskular por mund të shkaktojë edhe hemoragji interne. Pacienti u përfaqësua në procesin gjyqësor nga Shoqata “Together for Life”.

Më parë, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi kishte konstatuar diskriminimin e pacientit për shkak se:

  1. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk kishte miratuar Protokollin Klinik për trajtimin e sëmundjes së Hemofilisë;
  2. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë nuk siguron profilaksinë për ndjekjen mjekësore të pacientëve me Hemofili;
  3. Pacientit B. Nezaj, nuk i është siguruar medikamenti Faktor IX në sasinë e rekomanduar nga mjeku specialist Hematolog;
  4. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk mund të justifikohen se, mangësitë në ilace vijnë për shkak të buxhetit të kufizuar për blerjen e ilaceve;
  5. Analiza Betehsda/Nijmegen për matjen sasiore të titrit të Inhibitorit për pacientët me Hemofili nuk mund të zhvillohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë për shkak të nevojës për trajnim të veçantë të personelit dhe kostos së lartë;
  6. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë nuk kanë dërguar Komisionerit informacionin e detajuar lidhur me mënyrën se si është përllogaritur në buxhet, fondi për medikamente për të sëmurët me Hemofili, të dhënat teknike dhe sasiore për nevojat për ilace, etj., për të vlerësuar rregullsinë e sigurimit të Faktorit IX.

Për këto shkaqe dhe mohimit së trajtimit të duhur mjekësor nga institucionet përgjegjëse shtetërore, pacienti B. Nezaj kishte pësuar paaftësi për punë dhe paaftësi të pjesshme të përhershme në masën 30 %.

Ndjekja e kësaj çështje është mundësuar me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërine – OSFA.

Shoqata “Together for Life” do të vijojë ndjekjen e rrugëve ligjore që të gjithë pacientëve t’u garantohet e drejta për kujdes shëndetësor efektiv dhe efikas, në përputhje me standardet mjekësore.

Share: