Home KRYESORE Meta: Mazhoranca arrogante, opozita me listë dëshirash jashtë realitetit

Meta: Mazhoranca arrogante, opozita me listë dëshirash jashtë realitetit

Presidenti Ilir Meta, ka folur në lidhje me krizën politike në vend, duke u shprehur se situata politike mund të kalohet përmes zgjedhjeve të 13 tetorit.

Meta tha se mazhoranca është treguar arrogante dhe jo bashkëpunuese, ndërsa opozita kërkon plotësimin e dëshirave të cilat, sipas tij, dalin jashtë realitetit.

“I vetmi institucion që në Shqipëri ka punuar në mënyrë të qartë për zgjidhjen e krizës për fat të keq është vetëm institucioni i Presidentit të Republikës. Më vjen shumë keq, si për maxhorancën, e cila me kokëfortësinë dhe arrogancën e saj në vend të tregonte përgjegjësi ka bërë të kundërtën. Ashtu sikurse opozita, me listën e dëshirave të pafundme, që shpesh dalin jashtë realitetit, e ka bërë të pamundur përfshirjen në institucione”, u shpreh Meta.

Presidenti, gjatë një interviste për “A2” ka folur dhe për qëndrimin e ndërkombëtareve në Shqipëri, ku thekson se disa prej të cilëve nuk kanë ndihmuar Shqipërinë në realizimin e objektivave të saj.

“Por nuk mund të mos them se edhe një pjesë e faktorit ndërkombëtar janë sjellë në mënyrë tepër të njëanshme, tepër helmuese, duke mos dhënë asnjë kontribut që Shqipëria të përmbushë detyrimet që burojnë nga marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me BE dhe që duhet ta ndihmojnë Shqipërinë të çelë negociatat me BE. Për fat të keq, Presidenti, edhe pse është ndjerë i vetëm, ka qenë i qartë dhe i vendosur për t’ia kursyer Shqipërisë një shëmti si farsa e 30 qershorit, që mund të jetë edhe një burim sanksionesh nga organizatat ekzistuese ku Shqipëria bën pjesë”- tha Presidenti./ Opinion.al E.Xh.

Share: