Home KRYESORE “Ç’punë ke ti se si vishet ajo, del me rroba banje apo...

“Ç’punë ke ti se si vishet ajo, del me rroba banje apo e mbuluar me burkë?”

“Leri njerëzit të jetojnë si të duan, ndryshe dhunon lirinë e tyre.”

Nga Capajev Gjokutaj

Ky është në thelb reagimi i një pjese të komentuesve për statsin tim të fundit. Dhe kanë të drejtë. Por me një kusht: veshja e hixhabit a, më keq akoma, e burkës duhet të jetë vendim personal i vajzës a gruas, larg imponimit.

Kushdo është e duhet te jetë e/i lire qe ta jetojë jetën, ta mbajë trupin e shpirtin, ashtu siç ia ka ënda e si ia thonë bindjet e veta, mjafton të mos dëmtojë të tjerët dhe as veten.

Vetëm se ka tregues të shumtë që të shtyjnë të mendosh se jo të gjitha gratë e vajzat e mbuluara e bejnë këtë nisur nga bindjet a pelqimet vetiake, te padetyruara direkt a indirekt nga të tjerë.

Në një pjesë të vendit ka akoma me shumicë mendësi patriarkale, që robërojnë dhe ndrydhin vajzat e gratë. Jo një herë ka ndodhur që babai të vrasë bijën pse u kthye vonë në shtëpi.

Për të mos u zgjatur mjafton të kujtojmë një dukuri ekstreme: rastet jo të pakta të trafikimit të detyruar, që nisin përmes gënjeshtrash e vazhdojnë përmes dhunës.

Sa kohe ekziston ky rrezik, dmth rreziku i imponimit dhe skllaverimt të grave dhe të vajzave, nuk bejme keq te diskutojme me mirësjellje edhe tema te tilla delikate si mbulimi i gruas në publik.

Mbase gaboj, por jam qindpërqind i bindur se ndrydhja dhe skllavërimi i gruas nuk janë probleme personale, as thjesht familjare.

Liria e grave dhe vajzave është element i rëndësishëm i përparimit të gjithë shoqërisë. Besoj se kanë të drejtë dijetarët që thonë se përjshtimi i grave nga veprimtaritë prodhuese dhe ato shoqërore, mbyllja e tyre në shtëpi dhe në rritjen e fëmijve, përbëjnë një nga arsyet e prapambetjes së lindjes arabo-myslimane, krahasuar me vendet perëndimore.

Për të mos thenë pastaj se një nënë e magjinalizuar nga jeta dhe liritë shoqërore ndikon keq në edukimin e fëmijëve dhe për pasojë gërryen të ardhmen e kombit.

Parë kështu na bie jo thjesht të diskutojmë për liritë e grave dhe të vajzave, duke përfshirë dhe veshjen a zhveshjen, kur këto shfaqen si simptoma detyrimi, dhunimie privim lirish personale.

Natyrisht pa i lejuar vetes të hyjmë në privacinë e tjetrit dhe, aq më pak, të fyejme kënd, as si inivid e as si grup.

( Nga cikli ‘As për mua, as për ty’ )

Share: