Home Approccio Italo Albanese Italiani që kërkon eshtrat e babait në Shqipëri

Italiani që kërkon eshtrat e babait në Shqipëri

Nga Manjola Bregasi-

Aldo Terrusi kthehet për të tretën herë në burgun e Burrelit, në kërkim të eshtrave të të atit, për të përmbushur amanetin që i la të ëmës në çastet e fundit të jetës.

I kam premtuar nënës në fund të jetës që eshtrat e të shoqit do te ktheheshin në Itali, pranë saj,”-thotë ai.

Në pamundësi për të patur varrin e tij, pas 26 vitesh kërkime Aldo sjellë një buqetë me lule në qershinë e burgut, aty ku Petrit Velaj, shok i qelisë, i tha se varrosën trupin e zhveshur të të atit, në Marsin e vitit 1952.

E gjithë kjo zonë brenda rrethimit duhet të verifikohet dhe të kuptohet nëse ka eshtra të personave të vdekur.  Ky mur është ndërtuar pas vitit 1993. Kur erdhëm në vitin 1993 me Engjëll Kokoshin, ky mur nuk ishte, ishte rrethimi njëlloj si atje. Më pas kanë bërë murin. Kur nuk ishte muri, dritaret e burgut shikonin pikërisht këtu. Në këtë fushë varroseshin personat që vdisnin gjatë dënimit dhe kjo bëhej për të trembur të burgosurit duke u thënë që edhe ata do të kishin të njëjtin fund,”-vijon Terrusi.

Edhe pse qytetar italian, Aldo e njeh mjaft mirë historinë e burgut të Burrelit, njeh çdo pëllëmbë të murit rrethues dhe ka parë si ka ndryshuar ai përgjatë viteve, sepse jeta e Aldos është e lidhur trishtë me Shqipërinë në atë që në librin e tij, ai e quan “brenga ime shqiptare”.

I ati Giusepe Terrusi Zv.drejtor i bankës italo-shqiptare në Gjirokastër në vitet ‘30, u dashurua me të emën Aurelia Poselli një italiane e bukur, asokohe e vendosur në Shqipëri me familjen e saj.

Por duket se pikërisht bukuria e Aurelias do të kthehej në përndjekjen e çiftit. Enver Hoxha asokohe 20-vjeçar kishte kërkuar fejesë me italianen 17-vjeçare, ndërsa kjo e fundit i kishte ofruar vetëm miqësi, ndërsa Aurelia zgjodhi Giusepen, një italian që sapo kishte mbërritur në Gjirokastër.

Po, aty takohet me nënën time dhe u njohën pasi nëna kishte refuzuar Enver Hoxhën, i cili insistoi për t’u fejuar me të duke përdorur edhe motrën e tij. Derisa nëna i dha fund njëherë e mirë. Atëherë vjen babai im, zv.drejtor i bankës së Gjirokastrës, një burrë i pashëm, të cilin nëna e shihte si një figurë atërore, kurse ai e shihte nënën si një bijë, të cilën do ta rriste vetë, kjo ndodh sepse kishin rreth 10 vite diferencë mes tyre,”-tregon Terrusi.

Pas ardhjes në pushtet Enver Hoxha nuk e harroi refuzimin e Aurelias dhe në shenjë hakmarrjeje, në vitin 1945 i burgos të shoqin, me akuzën se kishte dorëzuar arkën me para tek nazistët. Në vitin 1949 Aurelia dhe Aldo 4 vjeçar, dërgohen në Itali duke humbur çdo lidhje me Giusepen që tashmë nga burgu i Vlorës u transferua në burgun e Burrelit. Giusepe nuk mundi të rezistojë më shumë se 7 vjet në qelitë e këtij burgu.

U habita kur ma përshkruan. Petrit Velaj më tha se një ditë babai ndihej keq dhe po i dilte gjak nga goja. Brenda ditës ai kaloi në gjendje kome dhe vdiq po atë ditë. Petrit Velaj ka qenë i persekutuar politik, i cili ishte në të njëjtën qeli me babanë tim. Ai ishte shumë i ri, një djalosh gjaknxehtë. Ata i detyruan të gërmonin një grope të madhe, i cili ekziston ende në ditët e sotme”.

Prej vitit 1993, kur për herë të parë shkeli Shqipërinë Aldo Terrusi është në kërkim të eshtrave të të atit dhe ndonëse në këtë proces, është përfshirë zyrtarisht edhe ambasada italiane, kërkimi i eshtrave, ende nuk është mundur të kryhet.

Z.Terruzi ka dokumente të cilat vërtetojnë se eshtrat e babait të tij ndodhen në kopshtin e burgut të Burrelit. Kërkesa jonë ka qenë që të sigurohemi nëse eshtrat janë vërtet aty, apo jo. Më pas të transferojmë eshtrat e babait të tij,”-është shprehur ambasadori italian.

Në këtë histori nuk ka mundur të ndikojë as emri i Xhakomo Pozelit, portierit të parë të kombëtares shqiptare prej vitit 1944, nderuar me medalje nga shteti për Ballkanijadën e vitit 1946 dhe që ironikisht është daja i Aldos.

Daja im ka qenë në Korfuz dhe filloi të luante futboll, ashtu lojtarët e tjerë. Luante me të rinjtë. E kanë parë me vëmendje kur luante, e kanë ndjekur vazhdimisht. Më duket se ka qenë skuadra e Vlorës që i propozoi për të luajtur me ta. Më pas, me ç’më ka thënë ai, e detyruan të luante për Tiranën dhe më pas për skuadrën kombëtare. Shqipëria nuk kishte një portier kaq të zotë sa ai.”

74- vjeçari i druhet momentit, se një ditë mund të largohet edhe vetë nga kjo jetë, pa arritur të përmbushë premtimin që i ka të dhënë të ëmës, ndërsa kërkon vetëm një varr ku të lutet për shpirtin e të atit.

Kam provuar çdo mënyrë, kam tentuar me të gjitha forcat për të marrë lejen për kërkimin e eshtrave të babait, por ka pasur gjithnjë devijime. Po, të gjithë më thoshin se është e drejta ime të gjej eshtrat e babait dhe se është një e drejtë universale të gjej eshtrat e babait dhe t’i varros ato përsëri që të mund të kem një varr, ku të lutem për të. Por gjithçka mbaronte me kaq. Më thonë se është dokument i pavlefshëm për ta. Ndërkohë që unë kam dokumentin origjinal, si është e mundur që ata e konsiderojnë të pavlefshëm?”,-thotë Aldo Terrusi.

Me një dosje të madhe në duar, ku ka mbledhur dokumentet e 26 viteve kërkime dhe dëshmi nëpër institucionet shqiptare, Aldo Terrusi ende nuk e ka të qartë përse shteti shqiptar nuk e lejon të kryejë kërkime në zonën përreth burgut, pranë pemës ku dëshmitarët i kanë thënë se prehet i ati.

Kjo është pyetja që i bëj vetes gjithmonë. Pyetje për të cilën nuk kam marrë kurrë një përgjigje, madje as nga ambasada.”

Ndërsa pohon se dosja më e madhe në ambasadë është ajo e Aldo Terrusit, ambasadori italian deklaron se ende Autoritetet shqiptare nuk kanë gjetur ende një mënyrë për të dhënë autorizimin për kërkimin e eshtrave.

“Unë jam ambasador prej katër vitesh, por kam kontaktuar me të më përpara. Problemi qëndron se eshtrat e babait të tij ndodhen në një terren, i cili nuk është privat dhe as një terren në të cilin mund të ndërhyjmë lirisht, në të kundërt, do ta kishim bërë kërkimin tashmë.  Përveç çështjes së z.Terruzi janë edhe disa çështje të tjera të qytetarëve shqiptarë. Pra, është një detyrë që të gjenden eshtrat e gjithë viktimave të cilën kanë vdekur gjatë regjimit dhe të atyre që kanë dhënë jetën si martirë. Kam shpresë se autoritetet shqiptare do ta ndërmarrin këtë nismë, sepse për një shtet që kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian dhe që do të tregojë se i kanë kaluar tashmë traumat e diktaturës e që janë në demokraci nuk mund të mos vërë drejtësinë në vend. Është një drejtësi universale, e cila duhet të zbatohet me çdo kusht. Duhet të thyejmë çdo barrierë që mund të dalë përpara kësaj të drejte”. / Opinion.al 

Share: