Home KRYESORE Gurët e çmuar – nga lashtësia në bashkëkohësi

Gurët e çmuar – nga lashtësia në bashkëkohësi

Nga Gladiola Busulla

Historiani romak Plini, një vëzhgues i apasionuar pas realitetit që e rrethonte ka shkruar: ” Gurët e çmuar përmbyllin në një rreth të vogël, të gjithë madhështinë e Nënës Natyrë”. Ndërsa teknologjia po ecën me hapa galopante, njeriu i sotëm ndien herë pas here nevojën të rivendosë kontaktin me natyrën, kontakt, që jeta moderne po e minimizon progresivisht.

Prej shekujsh, gurët e çmuar përfaqësojnë pushtetin, fuqinë, pasurinë. Me shkëlqimin e tyre godisnin fantazinë e popujve të lashtë, si një shkëndijë e zjarrit hyjnor të universit, ndaj lindi besimi, se mbajtja dhe zotërimi i tyre ishte fatsjellës. Kleopatra e Egjiptit shprehej se vetëm smeraldi ishte i denjë për bukurinë e saj. Ndërsa, Mbretëreshë Viktoria (1819-1901) përzgjodhi opalin dhe u stolis me këtë gur, përgjatë gjithë mbretërimit të saj. Opali, një gur që në Orient përveç se konsiderohet i shenjtë, simbolizon dhe besnikërinë.

Nuk është rastësi që çdo kurorë mbretërore, çdo diademë, skeptër a gjerdan të zbukurohet me zafirë, diamantë, rubinë, smeraldë etj. Në Bibël përmendet si një traditë e hershme se Kryeprifti, para se të ngjitej në altar vinte një brez me 12 gurë të çmuar. Secili prej tyre përfaqësonte një tribu izraelit.

Nëse ndonjërit prej gurëve i zbehej sadopak shkëlqimi, kjo ishte një shenjë e keqe; zemërimi hyjnor do ta godiste atë fis. Duke u frymëzuar nga Bibla, Shën Gjerolamo, në shekullin III ndërtoi një lidhje midis 12 gurëve dhe 12 konstelacioneve.

Këto rregulla kanë mbërritur deri në ditët e sotme. Edhe pse me kalimin e viteve, interpretimet e astrologëve shumëfishohen, thelbi nuk ndryshon. Gurët më të rëndësishëm që këshillohen si talisman për shenjat e zodiakut janë: diamanti, rubini, ametisti, perla, kuarci, agata, topazi, akuamarini, lapislazuli, xhada, smeraldi, zafiri, ambra etj.

Legjenda, filma hollivudianë, poema epike u kushtohen gurëve të çmuar të cilët dallohen nga gurët e tjerë për shkak të shkëlqimit, madhësisë, formës, prerjes, sipërfaqes, tejdukshmërisë, fortësisë etj. Paragjykimet ndaj perlave, në ditët e sotme janë zhdukur pothuajse krejtësisht. Ato formohen në moluskë me diametër 8 cm dhe gjenden në 15 m thellësi kryesisht pranë Gjirit Persik, Gjirit të Manaarit (midis Indisë dhe Sri Lankës) dhe kultivohen në Japoni, Australi e në Azinë Juglindore.

Asnjë grua apo vajzë nuk do të refuzonte të hijeshonte qafën me një varg perlash rozë ose ngjyrë krem, për shkak të bindjes së vjetër se perlat janë lotët e perëndive që derdhen në det. Dhe një femër që ndihet e bukur, e admiruar është më e sigurtë në vetvete, më kurajoze ndaj kapriçove dhe lojrave të fatit. Secila syresh e ka përmendur së paku një herë në jetë, refrenin e këngës së divës së pavdekshme Marilyn Monroe, “Diamonds are a girl’s best friends”.

Nëna Natyrë që dikur mrekulloi paraardhësit tanë, përmes këtyre gurëve shpalos modelin e përsosmërisë dhe ngjall besimin i cili është për zemrën tonë, aq i domosdoshëm sa ajri për frymëmarrjen. Dikur gurëve të çmuar u atribuoheshin dhe veti kurative, praktikoheshin si barëra shëruese nga mjekësia e asaj kohe (duke i shndërruar në pluhur e detyruar njerëzit t’i pinin) apo rëndom u visheshin fuqi magjike.
Sot mund të nënqeshim kur lexojmë të tilla besëtytni, por përmes tyre konstatojmë respektin që njerëzit në botën antike kishin për gurët e çmuar.

Fenomenet e pashpjegueshme shtrihen anekënd horizontit dhe njëlloj si Hamleti duhet të deduktojmë se “ ka më shumë gjëra në tokë e në qiell, se sa ëndërron filozofia”.

Gjithsesi, trinia njeri/ gur i çmuar / konstelacion mbetet trekëndëshi magjik që udhëton nga lashtësia në bashkëkohësi, si një mesazh shpirtëror plot enigma e mistere.

Share: