Home KRYESORE Ndërkombëtarët mesazhe të forta magjistratëve të rinj për drejtësinë

Ndërkombëtarët mesazhe të forta magjistratëve të rinj për drejtësinë

Sot është zhvilluar ceremonia e diplomimit të magjistratëve. Të pranishëm për të folur gjatë ceremonisë ishin përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, prokurorja e përgjithshme dhe ministrja e Drejtësisë.

Kryeprokurorja Marku uroi të sapo diplomuarit por theksoi se ky nuk është fundi i rrugës së tyre pasi sistemi në reformim i drejtësisë do ti përballë ata me shumë sfida të tjera.

“Ju jeni gati për të qenë gjyqtarë dhe prokurorë. Por më duhet t`ju them se nuk duhet të notoni në vetëkenaqesi, pasi ky nuk është fundi i rrugës. Është fundi i një rrugice dhe fillimi i një rruge tjetër, shumë të gjatë, me shumë sfida e me shumë përgjegjësi… Latinët thoshin se “Dija është fuqi”. Është e vërtetë, por deri në një farë mase. Kjo pasi dija është fuqi nëse përdoret, pra nëse ju veproni, por në mënyrën e duhur….atë të drejtën. Për tu kthyer te sfidat, shumë shpejt do e kuptoni përse e kam fjalën dhe do ndesheni me to. Sistemi, pjesë e të cilit tashmë jeni bërë është në reformë të thellë, dhe për këtë arsye, vështirësitë në punë janë më të mëdha” tha ndër të tjera Marku.

Një apel për forcën e tyre për ndryshim i bëri edhe ministrja Gjonaj magjistratëve të rinj.

“Shkolla e magjistraturës duhet ti kushtojë vëmendje integritetit të magjistratit për një sistem të paanshëm, të pa korruptuar dhe të paanshëm. Ky element të jetë i ngulitur fort për çdo gjyqtar dhe prokuror të ri. Po kryhet një ndryshim rrënjësor. Ju keni fatin historik që të bëni që drejtësia të bëjë një kthesë të madhe për një model të ri, që të eksportohet edhe në vendet e tjera. Duhet të riktheni besimin e publikut te drejtësia” tha ajo.

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca dha një mesazh të fortë duke i kujtuar përgjegjësitë e rënda që i presin magjistratët e rinj. Gjykatësit janë si doktorët tha ai duke lënë të kuptohet nevojën që ka sistemi për tu “shëruar”.

“Nuk ka më keq se padrejtësia apo drejtësia e vonuar. Gjykatësit janë si doktorët, që mund t’iu shpëtojnë jetën, në rrugën e drejtësisë. Ju duhet të jeni krenarë sot, por nuk duhet të harroni përgjegjësinë që ju pret nesër. Është një përgjegjësi shumë e madhe, që keni mbi shpatulla”, tha ambasadori Soreca.

E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara Leyla Moses-Ones kërkoi nga të sapo diplomuarit të jenë vigjilent në vendimet e tyre në luftën ndaj korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë.

Do të merrni vendime për një sistem drejtësie transparent për të luftuar korrupsionin. Ju do të flisni për sistemin e ri të drejtësisë, do të respektohet çdo individ. Ju bëj thirrje për një Shqipëri më demokratike, të përfaqësoni profesionin tuaj të ri në mënyrë të suksesshme. Duhet ti mbani sytë hapur ndaj pabarazisë dhe korrupsionit, jeni vigjilent ndaj tyre. Secili mund të japë shpresa për këtë vend dhe nëse bëheni bashkë përpjekjet tuaja do të krijojnë diçka mjaft të rëndësishme. Është momenti juaj për të qenë pjesë e diçkaje të madhe” tha ajo.

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt tha se e ardhmja e vendit varet nga zbatimi i reformës në drejtësi dhe për këtë ai kërkoi investimin e magjistratëve të rinj me anë të profesionalizmit të tyre.

“Së shpejti do të formohen institucionet e reja të drejtësisë. E ardhmja e vendit varet nga zbatimi i reformës në drejtësi. Duhen luftuar defektet aktuale të sistemit të drejtësisë. Ju inkurajoj që të investoni në sistemin e drejtësisë. Pritjet janë të mëdha, të gjithë kanë besim te ju.

Çdo vit dalin prokurorë dhe gjykatës të rinj, kemi bërë trajnime për profesionistët e drejtësisë. Shpresoj që gjërat të shkojnë më mirë edhe më tej. Kemi qenë partner të kësaj shkolle, kemi dhënë mbështetjen tonë për trajnimet” tha ai. /Opinion.al

Share: