Home KRYESORE Një histori presidentësh/ Johnson, Nixon, Clinton dhe Trump përballë impeachment-it

Një histori presidentësh/ Johnson, Nixon, Clinton dhe Trump përballë impeachment-it

Mbetet për t’u vendosur nëse Presidenti Donald Trump do të fajësohet, por duket se ka gjasa. Përpjekja e fundit për të përndjekur një president amerikan ishte kundër Bill Clintonit në fund të viteve 1990, dhe para kësaj, Richard Nixonit në mesin e viteve ’70, dhe para kësaj … Andrew Johnsonit, plot 151 vjet më parë.

Në mënyrë që të fajësojë një president, Kongresi duhet të votojëttrump

johnson nenet e impeachment-it – akuzat, në thelb – me një shumicë të thjeshtë. Nëse Kongresi kalon të paktën një nga këto nene, presidenti është përballë impeachment-it – por kjo nuk e heq atë nga detyra.

Për këtë, Presidenti duhet të përballet me një gjyq nga Senati, dhe këtu kërkohet një super shumicë prej dy të tretave.

Presidentë përballë impeachment-it: Andrew Johnson, 1868

Johnson e kish marrë presidencën tre vjet më herët, vetëm 42 ditë pasi u vra Abraham Lincolni. Lufta Civile sapo kishte vrarë më shumë se 600,000 njerëz, dhe udhëheqësit e bardhë në jug ishin ende kundër dhënies së të drejtave për amerikanët me ngjyrë.

Dhoma e ulët dhe Senati ishin dy të tretat republikanë “Radikalë”, megjithatë, edhe kjo shumicë e Kongresit e përcaktoi qartë se Rindërtimi do të ndodhte – me ndërhyrjen edhe të ushtrisë së SHBA. Për një kohë, ata menduan se edhe Johnsoni ishte në anën e tyre.

Por më pas, dolën në pah mendimet e vërteta të Johnsonit ndaj Rindërtimit. Johnsoni, një demokrat nga Tenesi, kundërshtoi të drejtat politike për të liruarit, dhe dëshironte të ofronte falje për çdo ish-anëtar të Konfederatës, të cilët ishin të gatshëm të betoheshin për besnikëri ndaj Shteteve të Bashkuara. Gjithçka që shtetet jugore duhej të bënin për t’u rifutur në Union, ishte të ratifikonin Amendamentin e 13-të, i cili hoqi skllavërinë.

Republikanët radikalë menduan se plani i Johnsonit do ta linte Jugun të shkëputej shumë kollaj. Me një shumicë në të dy dhomat e Kongresit, ata nxitën dy Amendamente të reja që Jugu duhej të ratifikonte – 14 dhe 15 – të cilët u jepnin të drejta të plota politike, përfshirë të drejtën e votës, të gjithë të liruarve.

Ata miratuan gjithashtu një ligj në 1867, të bërë posaçërisht për Johnsonin, të quajtur Ligji i Qëndrimit në Detyrë. Ligji e kufizonte presidentin që të largonte disa zyrtarë nga detyra, pa miratimin e Senatit.

Duke sfiduar këtë ligj, Johnsoni shkarkoi Sekretarin e tij të Luftës, Edwin M. Stanton – i vetmi anëtar i kabinetit që ishte kundër politikës së tij të Rindërtimit – gjatë pushimeve të Kongresit në verën e 1867. Johnsoni e zëvendësoi Stantonin me Gjeneralin Ulysses S. Grant, por kur Senati u përpoq të rivendoste Stantonin disa muaj më vonë, Granti e nuhati kosheren e bletëve ku ndodhej, dhe dha dorëheqjen.

I zemëruar me Kongresin, Johnsoni injoroi emërimin e Stantonit dhe zgjodhi gjeneral-major Lorenzo Thomasin për të plotësuar pozicionin e sekretarit. Kjo ishte një shkelje e drejtpërdrejtë e Ligjit të Qëndrimit në Detyrë dhe nenet e impeachment-it, u hartuan brenda pak ditësh.

Kishte, në total, 11 nene të impeachment-it të hartuar nga Kongresi, pothuajse të gjitha që kishin të bënin me veprimet e Johnsonit rreth Stantontit dhe Ligjit në fjalë, megjithëse nuk mungonte akuza e mbajtjes së fjalimeve në një përpjekje për të sjellë “poshtërim, tallje, urrejtje, përbuzje dhe qortim [ndaj] Kongresit të Shteteve të Bashkuara”, dhe “për të dëmtuar dhe shkatërruar respektin e të gjithë njerëzve të mirë të Shteteve të Bashkuara për Kongresin”.

Dhoma e ulët votoi të fajësonte Johnsonin në 24 Shkurt 1868. Më 5 Mars filloi gjyqi i Senatit ndaj Johnson-it. Me mijëra amerikanë ishin të dëshpëruar për të gjetur bileta për ngjarjen më argëtuese të vitit.

Me 16 maj, megjithatë, përpjekja për të dënuar Johnsonin dështoi vetëm për një votë në Senat. Republikanët ende e urrenin atë, por ishin të detyruar të ruanin integritetin e zyrës presidenciale. Johnsoni shërbeu pjesën tjetër të mandatit të tij, megjithëse me një mungesë të besueshmërisë dhe pushtetit.

RICHARD NIXON: Impeachment-i, që u bë hetim, që solli dorëheqje

Teknikisht, saga e skandalit “Watergate” e Presidentit Richard Nixon nuk përfundoi në impeachment, pasi ai dha dorëheqjen përpara se të mund të arrinte në atë pikë, por deri në kohën kur Nixon dha dorëheqjen, Dhoma dhe Senati kishin mbledhur prova të mjaftueshme për të ecur përpara me procesin e impeachment-it.

Procedimet e fajësimit të Nixon-it buruan kryesisht nga ndërhyrjet e tij në futjen vjedhurazi, në 17 qershor 1972 në selinë e Komitetit Demokratik Kombëtar, në zyrat që ndodheshin në hotelin “Watergate” në Washington, DC. Administrata e Nixonit u përpoq në çdo hap për të parandaluar çdo bashkëpunim me Dhomën, duke shkaktuar edhe një krizë kushtetuese.

Por doli që Nixoni kishte regjistruar në fshehtësi biseda private në Zyrën Ovale, dhe disa nga ato regjistrime shfaqnin vetë Nixonin, duke u përpjekur të përdorte pushtetet e tij presidenciale për të ndaluar hetimin e FBI-së, për skandalin e Watergate.

Më 24 korrik 1974, Gjykata e Lartë e detyroi më në fund Nixonin të dorëzojë kasetat. Shiritat përmbanin prova të pakundërshtueshme, dhe nëse Nixoni do të kishte qëndruar për të vazhduar impeachment-in, atëherë ai do të duhej të përballej me një Kongres e Senat me shumicë Demokratike. Ishte e qartë se Nixoni do të fajësohej, dhe shumë shpejt.

Ndërsa u morën në konsideratë shumë, të tre nenet e fajësimit që u miratuan nga Komiteti Gjyqësor i Kongresit ishin pengim i drejtësisë (në lidhje me futjen në Watergate dhe mbulimin e ngjarjes, mbetur në tentativë nga Nixoni dhe stafi i tij, si dhe mosdorëzimi i kasetave famëkeqe të Shtëpisë së Bardhë), shpërdorimi i pushtetit dhe shpërfillja e Kongresit.

Por Dhoma e ulët, e mbushur plot, nuk do të mundej të votonte për impeachment-in, pasi Nixoni dha dorëheqjen në 9 gusht 1974. “Unë kurrë nuk kam qenë një njeri që dorëzohem. Të largohem nga detyra para se të përfundojë mandati im është e neveritshme për çdo instinkt në trupin tim”, tha Nixoni në një fjalim televiziv, ku u përpoq të përshkruante presidencën e tij si një fitore për SHBA. “Të kesh shërbyer në këtë zyrë është të kesh ndier një sens shumë personal afërsie me çdo amerikan. Unë po largohem me këtë lutje: Hiri i Zotit qoftë me ju në të gjitha ditët në vazhdim”.
Në mesditë të nesërmen, ai i dha frerët e presidencës zëvendësit të tij, Gerald Ford. Fordi e fali Nixonin vetëm një muaj më vonë, duke e mbrojtur atë nga aktakuza apo ndjekja e mundshme penale.

BILL CLINTON: Skandali Lewinsky, që për pak fundosi presidentin e adhuruar

Presidenca e Bill Clintonit gati përfundoi, kur Dhoma e ulët e kontrolluar nga republikanët kaloi dy nene të impeachment-it.

Akuzat e Kongresit u informuan kryesisht nga Këshilltari i Pavarur Kenneth Starr, i cili fillimisht u emërua në 1994 për të hetuar një kompani të pasurive të patundshme, të quajtur “Whitewater”, në të cilën Clintonët kishte investuar në vitet 1970 dhe ‘80.

Por hetimi u zgjerua për të përfshirë pretendimet e ngacmimeve seksuale për të cilat akuzohej Presidentit Clinton, pasi ish-punonjësja e qeverisë së Arkansasit, Paula Jones ngriti një padi kundër presidentit në maj 1994, për ngacmime ndaj saj kur ai ishte guvernator i shtetit.

Dhe më pas, në janar 1998, publiku u informua për një skandal krejtësisht të veçantë që po mbahej prapa dyerve të mbyllura për muaj të tërë: afera e dyshuar e Clintonit me praktikanten e atëhershme të Shtëpisë së Bardhë, Monica Lewinsky.

Aktet seksuale të Clintonit dhe Lewinskyt kishin qenë konsensuale, por sipas raportit të Starr, Clinton e kishte udhëzuar që ajo të gënjente hetuesit për lidhjen e tyre. Për më tepër, Starr pretendoi se vetë Clinton kishte gënjyer një juri të madhe, kur u kish thënë: “Nuk ka ndodhur asgjë”, midis tij dhe Lewinskyt.

Dhoma e ulët miratoi dy nga katër nenet e fajësimit, pothuajse plotësisht përgjatë linjave të partisë, më 19 dhjetor 1998. Në Senat, i cili ishte gjithashtu i kontrolluar nga republikanët, mjaft anëtarë të partisë republikane votuan kundër impeachment, për të mbajtur Klinton në detyrë. Më 12 shkurt 1999, votimi i përgjithshëm ishte 50-50 për akuzën e pengimit të drejtësisë dhe 45-55 jo fajtor, për akuzën e shkeljes.

Kishte disa pasoja civile për Clintonin, duke përfshirë paaftësinë për të praktikuar ligjin për pesë vjet dhe disa gjoba. Në dhjetor të vitit 1999, një vit pas impeachment-it të Clintonit, dy të tretat e publikut amerikan thanë se gjyqet e impeachment ishin të dëmshme për vendin.

Në fund të fundit, shkeljet e Clintonit nuk ishin aq të rënda sa, të themi, ofrimi i mbështetjes ushtarake amerikane, në këmbim të sigurimit të akuzave të pista, ndaj kundërshtarëve politikë.

IMPEACHMENT për Donald Trumpin

Presidenti Donald Trump është presidenti i katërt i SHBA që përballet me procesin e impeachment-it. Dhe nëse Senati voton për ta hequr atë nga detyra, ai do të jetë presidenti i parë që do të dëbohet drejtpërdrejt nga Kongresi.

Kundërshtarët e Trump kanë bërë thirrje për fajësimin e tij praktikisht që nga dita e parë e presidencës, por hetimi i tanishëm u fillua kur një bilbilfryrës anonim i paraqiti një letër inspektorit të përgjithshëm të komunitetit të inteligjencës, duke pretenduar se Trump i kishte kërkuar presidentit të Ukrainës që të hetojë ish-Zëvendës Presidentin Joe Biden, një kundërshtar i mundshëm në garën presidenciale të vitit 2020, dhe djalin e tij Hunter.

Bilbilfryrësi pretendoi në letrën e 12 gushtit se, “pas një shkëmbimi fillestar të komplimentave, presidenti përdori pjesën e mbetur të telefonatës për të çuar përpara interesat e tij personale. Ai u përpoq të bëjë presion ndaj liderit ukrainas për të ndërmarrë veprime që do të ndihmonin përpjekjen për rizgjedhje të presidentit në vitin 2020”.

E gjitha kjo gjoja ndodhi në një telefonatë më 25 korrik, në një kohë kur Trump po frenonte deri në 400 milion dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Kur doli lajmi i telefonatës, Shtëpia e Bardhë nxorri një transkriptim të saj. Në të, menjëherë pasi Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky hap temën e ndihmës ushtarake, Trump kërkon një “favor” dhe vazhdon duke përmendur hetimin e Robert Mueller dhe më pas Biden. Për shumë njerëz, dukej se Trump po kërkonte një shkëmbim.

Në vijim të zbulimeve të skandalit të Ukrainës, Trump i kërkoi Kinës të hetojë Biden në televizionin kombëtar.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar publikisht se nuk do të bashkëpunojë me procedurat e impeachment-it, dhe ka kërkuar që t’i frenojë zyrtarët e tanishëm dhe të mëparshëm të qeverisë që të mos dëshmojnë për tre komitetet e Kongresit, që po hetojnë skandalin Trump-Ukrainë. Ndërkohë, Demokratët e Dhomës së ulët janë kritikuar për kryerjen e intervistave të dëshmitarëve ekskluzivisht pas dyerve të mbyllura (me qëllim që dëshmitarët të mos i koordinojnë përgjigjet e tyre, thonë demokratët).

Mbetet të shihet nëse Kongresi me të vërtetë do të votojë për të fajësuar Trumpin, por duket se ka të ngjarë. Dhe nëse ndodh, a do të pajtohet Senati? Ka të ngjarë jo, duke pasur parasysh besnikërinë e verbër të shumicës së republikanëve të Senatit ndaj presidentit, por është e mundur; gjithsesi ka zgjedhje vitin e ardhshëm, dhe shumë vende të Senatit republikan janë gati për votim. /HistoryToday – Bota.al/

Share: