Home KRYESORE Pse fëmijët duan nënën më shumë? Nga Lis Bukuroca

Pse fëmijët duan nënën më shumë? Nga Lis Bukuroca

Industrializimi dhe emancipimi rindërtoi familjen në atë mënyrë, sa ekonomia dikton sjelljet dhe krijoi rrethana tjera. Tani punojnë edhe gratë dhe ndihmojnë ekonominë familjare. Dikur besohej se fëmijët donin nënën më shumë, sepse ajo i ushqente. Me eksperimentin e Harlow-it të vitit1957, u vërtetua se nuk ishte ushqimi, që ndikonte te fëmijët në krijimin e lidhshmërisë emocionale me nënën, por siguria dhe dashuria, që ofronte ajo, të cilën i ati shpesh e shpërfill me mburrje dhe gjakftohtësi. 

Shpesh dëgjohen mendime nga etër të kësaj natyre: „Mi mur gruja fmitë!, Mu nuk um telefonojnë, viç grujës!Mu nuk um kallxojnë kurxha, por i marr vesh pi grujës!Këto mendime dhe shumë si ato, janë tregues për mungesën e afrisë, ose largësinë ndjenjësore të fëmijëve nga i ati. Po pse ka ndodhur kjo? 

E para:  Fëmijët nuk mund t‘ i marrë askush askujt. Ata zakonisht dëbohet nga i ati te nëna. Nëse u ofrohet siguri dhe dashuri, ata pikërisht këtë e kthejnë një ditë. Nëse janë ndjerë në rrezik nga i ati, që e ka nënshtruar me kërcënime si: Ti thej kocitë, t mys, dreç, pis, rrugaç, magar e gomar, kali e derrose me shpulla e shqelma, atëherë nuk u është dhënë as dashuri, as siguri, as edukatë, as kujdestari familjare, por është synuar vetëm nënshtrimi.

E dyta: Nëse keqtrajtohet nëna e tyre, shumica e fëmijëve nuk e duan atin sa duhet dhe si duhet, por vuajnë për gjendjen e saj. Madje, kur fëmijët dëgjojnë duke i thënë shoqes: Unë të kisha lanë sot, mos mu pas kanë fmitë!,(gjoja po sakrifikohet për ta dhe mendon se po fiton simpatinë e tyre) atëherë ata ndihen fajtorë për atë bashkëshortësi të dështuar, në të cilën pamundësojnë ndarjen dhe lumturimin e tyre veç e veç, me dikë tjetër. Në vijim raport informativ nga libri „Die bedeuntendesten Strömungen der Psychologie“  fq. 40 i autorëve Ch. Jarret, V. Bell, M. Costandi, D. Munger dhe T. Stasfford – Rrymat më të rëndësishme  të psikologjisë: 

„Harry Harlow (1905 – 1981) qe interesuar për mënyrën e krijimit të lidhjes nënë-fëmijë dhe kërkoi një metodë me të cilën do t’ ishte në gjendje për të matur rëndësinë relative të nevojës së fëmijës për ushqim dhe siguri. Në një seri eksperimentesh të famshme, por etikisht të dyshimta, ai ndau majmunët rezus të porsalindur nga nënat e tyre biologjike dhe i rriti në kafaze me “surrogat-nëna.” Bebet e majmunëve duhej të zgjidhnin midis dy surrogat-nënave të ndryshme: njëra ishte prej teli dhe kishte një shishe qumështi, tjetra nga pëlhurë e butë, e ngrohtë dhe pa shishe.

Harlow vëzhgoi foshnjat, që kacavareshin më shumë në nënën me pëlhurë të butë, edhe pse “ajo” nuk mund t’ u jepte ushqim. Në një eksperiment tjetër, ai vendosi foshnjat në kafaze vetëm me njërën nga nënat surrogate. Foshnjat e mbyllura me nënën prej pëlhure të butë ndiheshin mjaft të sigurta dhe hulumtonin rrethin e ri, por vraponin prapa dhe kapeshin në “nënën” e tyre kur një zhurmë e madhe i frikësonte ato.

Në të kundërtën, foshnjat që gjendeshin në kafaz me „nënën“ prej teli, nuk hulumtonin rrethin e tyre dhe kur frikësoheshin, ato shtangeshin në vend, mblidheshin kruspull, apo bridhnin nëpër kafaz poshtë e lartë pa ditur se ku. 

Gjetjet

Majmunët e porsalindur kanë nevojë për ngrohtësi dhe siguri të paktën sa për ushqim dhe ujë. Mund të merret me mend se kjo vlen edhe për foshnjat njerëzore.

Analizë

Harlows tregoi se foshnjat e majmunëve kanë një nevojë të lindur për kontakt me trupin, e cila është aq e rëndësishme, sa edhe nevoja për ushqim. Kështu e vuri në dyshim teorinë e lidhjes së pëlqyer nga behavioristët dhe psikanalistët që bazohej në “dashurinë e llogaritshme” duke thënë se foshnja lidhet vetvetiu para së gjithash me nënën, sepse kështu, ato mund të plotësonin nevojën e tyre instinktive për ushqim.

Harry Harlow gjithashtu arriti në përfundimin se etërit mund të ishin po aq kujdestarë të mirë, si edhe nënat. Në atë kohë kjo ishte një ide revolucionare. Hulumtimi i Harlow-it me foshnjat e majmunëve, dëshmoi se bebet nuk përkëdhelin nënat e tyre për qumështin, por sepse dëshirojnë përzemërsi, dashuri, siguri dhe vëmendje.“ Nga gjermanishtja LB

Para këtij zbulim edhe në Perëndim me rritjen dhe edukimin e fëmijës merrej kryesisht nëna. Gjendja ka ndryshuar dhe pjesëmarrja është e barabartë apo kryesisht e baraspeshuar. Bashkëshortja nuk konsiderohet më pronë e përhershme, por si partnere jete, e cila duhet të mbahet vetëm me respekt dhe dashuri, përndryshe, ndarja është e pamënjanueshme.

Logjike: askush nuk dëshiron të flijojë jetën për të lumturuar dikë tjetër, por jo veten. Në vendet industriale koha që mund të kalojnë prindërit me fëmijë është tkurrurshumë për shkak të punës, mbetet pasditja, por zakonisht fundi i javës është koha kur i kushtohet kryesisht fëmijëve. 

Në familje arkaike me një despot brenda, i ati përjetohet nga fëmija si agresor, nëna si shpëtuese. Ose, bazuar në eksperiment, babai është prej teli, i pa emocione, ndërsanëna e butë e përzemërt, që ofron siguri dhe dashuri. Kur i ati tërbohet, fëmija ikën te nëna. Këtë një baba në një shoqëri mashkullore e vëren, kur fëmijët rriten dhe thotë: Mi mori gruaja fëmijët!

Ai dëshiron të ndjehet viktimë, por nuk dëshiron të thërrasë në kujtesë sa herë fëmijët janë shtangur para tij; sa herë nuk kanë pasur guxim dhe liri për të hulumtuar rrethin, apo për të realizuar dëshirat; sa herë kanë ikur poshtë e lartë nëpër dhomë pa ditur se ku duhet të fshihen; sa herë është dashur të dënesin, nga frika për të qarë me zë; sa herë janë fshehur pas divanit, pas dere, nën tavolinë dhe në fund, për të përfunduar i trishtuar në prehrin e nënës duke mos kuptuar botën, se si është e mundur që babai, tmerron dhe rrah fëmijën e vet?! Si është e mundur që një i rritur, rrah një fëmijë?! Apo, si është e mundur që babai rrah nënën e tij?! 

E mësimi që i jepet nëpërmjet dhunë fëmijës? Nëse je më i fortë, përdore dhunën! Lejohet! Mos thirr policinë se humbet fytyra nëse kallëzohet dhunuesi! Dhunuesi ka dinjitet, jo i dhunuari! Nëse je më i madh, rrahe të voglin! Është urdhër! Nëse je më i fuqishëm, rrahja e të dobëtit,është e drejtë. Në pleqëri ata janë më të fortë se prindi. Ja pasojat!

Fëmijët nuk ia ka marrë askush, por me zor e me dhunë ka syrgjynosur despoti te shoqja! Më vonë kthehet ajo padashuri për të cilën ai do të fajësojë gruan! Në fakt ai u ka humbur sigurinë. Ai u ka humbur besimin fëmijëve! Ai u ka rrënuar sedrën! Dikur vjen çasti kur pikërisht ato mund të kthehen prapa, me këste, mu edhe si janë dhuruar! Fëmijës i duhen dy prindër të përzemërt, kujdestarë, jo njërin të ftohtë si teli! Jo që i lejojnë dhe blejnë çdo gjë, por që e përgatisin për jetën, sepse llastimi është gjithashtu prishje, si dhuna.

Kontaktin trupor që ka nëna me fëmijën është dhjetëra herë më i madh se i të etërve, ku shpesh konsiderojnë veten burrë duke u distancuar nga fëmijët dhe duke i parë si vegla për të arritur qëllimet, që nuk i ka arritur ai në jetën e vet. Fëmijë kthejnë kryesisht dashurinë që kanë marrë, jo atë nuk u është dhuruar kurrë! I ati apo nëna e keqe, është armiku më i madh i fëmijëve.

Truri regjistron çdo vepër dhe përcakton rregulla të sjelljes ndaj agresorëve. Traumatizimi i marrë në shtëpi mund të shërohet dhe dobësohet me veprime të kundërta, me dashuri. Për rikrijim të një p֝ërzemërsie të humbur, duhet ndryshuar dhe duhet shumë durim. Duhet kërkuar ndjesë! Ai mund të rikrijohet, por nuk kemi shumë kohë, sepse kur i kuptojmë gabimet, shpesh është tepër vonë. 

A janë fajtorë ata prindër? Po dhe jo! Jo, sepse ata janë viktima të viktimave, po, sepse nuk ndryshojnë dhe refuzojnë njohuritë shkencore se prishja e një shoqërie nisë në familje. Në qelizën e parë të saj. Edukata e ligë, në kundërshtim me pedagogjinë moderne, nuk krijon kurrë shoqëri të shëndoshë, as shtet të drejtë! Studimi tregon se burrat mund të duhen nga fëmijët mu si edhe nënat, por nëse nuk japin dashuri dhe respekt, shpesh nuk do t’u jepet. Ia kanë zhbërë kur ata ishin të vegjël.

Armiku i vetëm nuk ishte vetëm shteti serb dje dhe kërcënimet e tij, por armiq të fëmijëve ishin dhe janë burrat, që mendojnë se gratë (nënat e fëmijëve të vet) duhet të rrihen. (80 përqind e qytetarëve të Kosovës e pranojnë dhunën ndaj grave, një shuplakë nuk është asgjë. GIZ dhe fondacioni “ Jahjaga” drejtësi”… Gazetaexpress)  Kjo është përleshje qytetare në familje!

Dhuna nuk riedukon, ajo poshtëron dhe thyen personalitetin e gruas dhe fëmijëve; ajo traumatizon dhe nënshtron. Sepse dënimi nuk ekzekutohet nga një polic i Millosheviqit, por nga babai, nga ai që do të duhej ta ruante gruan dhe fëmijën nga dhuna e një polici. 80 %! Ky numër është i skëterrshëm! 

Kur është shumica e burrave ashtu, një komb është në shpërbërje e sipër, sepse kanë frikë të jetojnë lirinë, barazinë dhe epokën e vet dhe kacavaren me qindra arsyetime, në primitiven, që njohin vetë dhe që kanë përjetuar vetë. Për të jetuar ai popull i qetë në atë gjendje, nevojitet diktatura jashtë dhe ligje që lejojnë dhunën psikologjike dhe fizike. Nese jo, familjet shpartallohen. 

Fëmija ka shpirt, jo vetëm trup. Shpirti  është ai që drejton njeriun në jetë dhe e mban vertikalisht. Dhuna fizike dhe psikologjike shkakton dëme pikërisht aty.

Pra, dikur ekzistonte bindja se fëmijët duan nënë më shumë për shkak të ushqimit. Eksperimenti i Harlow-it e dëshmoi se ishte gabim. Nuk ishte uria shkak i afrisë, por siguria dhe ngrohtësia që ndjen foshnja ose fëmija te nëna.

Aty ku akoma ekziston ndarje e roleve brenda familjes dhe ku dhuna fisnikërohet si metodë edukative, traumat që merr fëmija, nesër do të pengojnë zhvillimin normal dhe profilizimin në jetë, por edhe do të anashkalojnë prindinagresor. Pengimi në përparim është dëshmuar nga Daniel Goleman në librin „Intelegjenca emocionale.“ Gjithashtu është dëshmuar se dhuna ndikon në rënien e mençurisë, sepse shkakton zvogëlimin e masës gri në tru, që është përgjegjëse për inteligjencën e njeriut.

Në shtëpi kur rolet janë të lashta, apo kundër kushtetuese, fëmija mëson përshtatjen, nënshtrimin e vetes, mbijetesën dhe rrenën për t’i ikur ndëshkimit. Ai mëson edhe manipulimin e të tjerëve, nëse ka interes, si dhe dhunën ndaj të tjerëve, nëse përfiton. I ka mësuar në familje si virtyte. Meqenëse ai është trishtuar e kërcënuar nga despoti, ai mund të jetë bindur se ky efekt arrihet kudo: në rrugë, në media, në kuvend, apo kudo tjetër. Ai do të përdor pikërisht ato fjalë që e kanë prekur atë më shumë. Në faza të nxehta, ai zhytet në rolin e babait dhe pret që me kërcënime e sharje, të zvogëlojë të tjerët, siç e ka bërë patriarku dje me të ose me nënën  e tij.

Nëse fëmija rritet në një familje, ku i ati është patriark i vërtetë: i ashpër, dominues, nënshtrues, atëherë mundësia për të shpëtuar fëmija i pa traumatizuar është shumë e vogël, pothuaj e pamundur. Sa është dëmtuar, do të shihet më vonë sjellja tij ndaj motrave dhe ndaj bashkëshortes. Ai për epokën tonë është i dëmtuar, sociopat që bën vepra penale vazhdimisht në shtëpi, qoftë me dhunë psikologjike, qoftë me atë fizike, qoftë me dhunimin seksual, (seks pa dëshirën gruas,) qoftë me rrëmbimin e lirive bijave, motrave ose gruas, që ua garanton Kushtetuta. 

Kur Kushtetuta nuk respektohet në familje, ligjet e saja nuk zbatohet as jashtë, sepse viktimat e djeshme dhe të dëmtuarit në shtëpi, udhëheqin nesër shtetin!

Patriarku konsideron burrëri nënshtrimin e anëtarëve të familjes, diskriminimin gjinor brenda saj dhe kështu mëson fëmijët se keqtrajtimet janë parime burrërore. Ai brenda shtëpisë tregon krejt arrogancën kafshore, që e ka përvetësuar dje. Ai din mirë se vetë është traumatizuar, por ai nuk njeh alternativë tjetër dhe e dinë mirë se nënshtrimin, e pret edhe rrethi i tij, përndryshe nuk e konsiderojnë burrë të mjaftueshëm. 

Ai nuk jeton për veten, por për të tjerët. Ai është lodër sepse vepron sipas pritshmërisë së shoqërisë. Madje edhe mburret se prindi e ka rrahur, por nuk e ka dëmtuar fare, sepse ai nuk është në gjendje të kuptojë se në kafshë agresive, e ka shkaktuar pikërisht prindi, se ia ka mësuar agresivitetin, por jo dashurinë, se ia ka dëmtuar edhe inteligjencën, sa të krenohet pse është abuzuar nga njeriu që duhej ta donte.

Një ndodhi e përjetuar në Gjermani

Dy gra dolën nga shitorja me dy fëmijë pas tyre dhe me nga dy strajca të rënda në duar. Njëra ishte gjermane, tjetra e huaj. Dy burra mbi tridhjetë vjeç dolën nga kombi për ti ndihmuar. Që të dy ecën drejtë gjermanes dhe ia morën strajcat asaj. Gruaja jo gjermane lëshoi ato përdhe dhe e habitur, por e buzëqeshur, tha: „ E mua, mua nuk më ndihmon askush!?“  Burri ia mori njërën dhe ajo mbeti me një në dorë, kurse gjermania pa asnjë dhe ecën drejt automjetit. Fëmijët ecën pas tyre me një mësim për nesër.

Ngjarja tregon dyfytyrësinë e mësuar në shtëpi: para të huajit, shfaqu bujar, para tuve, shpërfillës, sepse kjo të rrit imazhin te i huaji dhe rrethi privat. Ndihmo gruan e huaj, se të rrit imazhin, por jo tënden, se të zvogëlon imazhin! Rrethi hipokrit e pret dhe përshëndet hipokrizinë dhe nënshtrimin e gruas, sepse është parim i dobëti të shtypet, por njëkohësisht rrethi vlerëson pozitivisht edhe shtirjen përballë grave të huaja. Ose, rrethi rekomandon respektin e të huajit, por jo të tëndit. Ose, tregohesh burrë i mirë nëse ndihmon gruan e huaj, por është dobësi, nëse ndihmon bashkëshorten tënde dhe nënën e fëmijëve tu! Paradokse dhe qëndrime skizofrenike!

Nëse i ati ndihmon shoqen në punët e shtëpisë dhe edukatë (ai është më i fortë dhe atë forcë mund ta përdorë për qëllime të mira) fëmija kupton se nuk i tubon ata vetëm darka, por ndërveprimi, ndihma e ndërsjellë dhe kupton se ndihma është detyrë brenda familjes, ku askush nuk shfrytëzon njeri. 

Duke parë këtë fëmija, ai mësohet se në familje, njerëzit lidhen me dashuri, mirëkuptim, mirësjellje dhe empati të ndërsjellë dhe se ato qëndrime janë të domosdoshme dhe kultivohen për ta ruajtur familjen të bashkuar, por nëse një punon e përgatit, të tjerët shtrirë duke shikuar televizor apo me celularë në duar, atëherë në atë familje, nuk ka nënë, por një skllave dhe një tufë aristokratësh. Këtë sistem skllavërimi është shumë e mundur se fëmija do ta vazhdojë nesër në bashkëshortësinë e tij. Dhe, do të shkatërrojë familjen, sepse rrethanat kanë ndryshuar, si dhe ligjet. 

Të ndihmohet bashkëshortja, domethënë t‘ u jepet dashuri fëmijëve nëpërmjet saj. Në vend se të përsëritet „të dua“ si vulë, mund të thuhet „të dua“ pa fjalë, duke e ndihmuar! Duke vepruar kështu, lidhshmëria me atin bëhet shumë më e madhe, sepse fëmija kupton çfarë domethënë familja: domethënë se bashkëjetesa e lumtur mund të ndërtohet vetëm me dashuri, respekt, ndihmë të ndërsjellë dhe mirënjohje. Kur vepron kështu familja, kombi ka kërcyer në epokën ku jeton. Deri atëherë, koka i mbetet diku në mesjetë, këmbët në këtë shekull!

Dhuratën më të madhe që mund të japin prindërit fëmijëve, është dashuria dhe respekti i atyre dyve në mes vete. Kërkimfalje kur gabohet. Kështu rriten fëmijët pa komplekse dhe të ekuilibruar. Fëmija duhet të mësohet nesër të trajtojë me dashuri gruan dhe fëmijët e vet, duke mos bërë dallim në gjini, duke u lejuar lirinë e dashurisë dhe profesionit. Nga gabimet mësohet dhe nuk janë aq tragjike si përjetohen. Nuk ka njeri i gjallë i cili nuk gabon, pa marrë parasysh moshën.

Epilog: Na kthehet shpesh aq dashuri, aq përzemërsi, aq dhembshuri, sa kemi investuar te fëmijët dhe te nënat e tyre. Nëse nëna është agresore, fëmijët gjejnë sigurinë te i ati. Askush nuk ndjen veten mirë në prani të një njeriu në cilësinë e prokurorit dhe gjykatësit njëkohësisht! Prandaj, jo m’ i mori fëmijët, por ia dërgove me dhunë ose ftohtësi!

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis bukuroca për gjendjen në familjen shqiptare, te amazon mund të porositen librat Letër burrave (I) dhe Letër burrave (II).

Share: