Home KRYESORE Xhaçka: Godinat e shembura nga tërmeti do të rindërtohen

Xhaçka: Godinat e shembura nga tërmeti do të rindërtohen

Familjeve të prekura nga tërmeti i 21 shtatorit, ju kanë ardhur në ndihmë 14 vende anëtare të Bashkimit Evropian si dhe 2 vende të tjera jo anëtare.

Ndihmat e ardhura iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit në një ceremoni ku morën pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian Luigi Sorecca, ambasadorë të vendeve kontribuuese dhe drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe Rezervave të Shtetit.

“Të gjitha godinat e shembura do të rindërtohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për emergjencat civile, por edhe nga fondi i solidaritetit që tashmë është ngritur. Ndërsa rindërtimi është sfida afatshkurtër, për t’ua lehtësuar sa më shumë situatën këtyre familjeve, sfida më e madhe që kemi përpara si shtet, si qeveri, është marrja e të gjithë masave për të qenë të përgatitur për situatat e ngjarjet që mund të vijnë si pasojë e fatkeqësive natyrore apo emergjencave civile. Anëtarësimi në Qendrën Evropiane për Koordinimin e Përgjigjes ndaj Emergjencave do të jetë vula e suksesit të kësaj pune që ne e kemi marrë shumë seriozisht, jo sepse është thjesht reforma e radhës, por sepse ka një ndikim të drejtpërdrejtë tek siguria, tek jeta dhe shëndeti i qytetarëve shqiptarë”, deklaroi ministrja.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Sorecca nënvizoi gatishmërinë e vendeve, të cilët sipas tij, nisën lëvizjen vetëm 2 ditë pas aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE.

Ndihmat e ardhura nga vendet anëtare të BE si Austria, Bullgaria, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Hollanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Mbretëria e Bashkuar, Sllovakia, Sllovenia si dhe vendet joanëtare Mali i Zi dhe Norvegjia, përbëhen kryesisht nga pajisje e mjete për strehim të shpejtë dhe të përkohshëm, si dhe ekspertizë përmes specialistëve europianë të Emergjencave Civile./ Opinion.al

Share: