Home KRYESORE Ardian Dvorani reagon pas paralajmërimit të Metës për kallëzim penal

Ardian Dvorani reagon pas paralajmërimit të Metës për kallëzim penal

Ardian Dvorani, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ka reaguar pas paralajmërimit për kallëzim penal nga presidenti Ilir Meta.

Dvorani shprehet me ironi se më në fund Presidenti Meta po ushtron një të drejtë që Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo. Kryetari i KED ka thënë në reagimin e tij se si qytetar i Shqipërisë do i nënshtrohet çdo ligji penal të vendit.

“Në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallzim penal ndaj meje. Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo. Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim. Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës. Respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi,”-shprehet Dvorani

Më herët presidenti Ilir Meta u shpreh se; “Dëshiroj t’ju bëjë të ditur vendimin tim si President i Republikës dhe kryetar i shteti për të paraqitur ditën e hënë kallëzim penal si president i republikës kundër zotit Ardian Dvorani, kreu i KED, me adresë Gjykata e Lartë. Unë Presidenti i Republikës dhe kryetari i shtetit akuzoj zotin Ardian Drovanin për këto vepra penale: Shpërdorim i detyrës dhe përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore”, tha Ilir Meta./ Opinion.al

Share: