Home KRYESORE Arrestimi i Rrajës, gazetari tregon detaje: Provat dhe ku dyshon policia

Arrestimi i Rrajës, gazetari tregon detaje: Provat dhe ku dyshon policia

Katër ditë pas sulmit me armë ndaj makinës ku gjendej prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Pëllumb Muharremi dhe shoferi i prokurorit, Andi Maloku, policia ka arrestuar një person të dyshuar si njëri nga atentatorët.

Ai është Redjan Rraja 34 vjeç, lindur dhe banues në Nikël të Fushë – Krujës, ish –stomatolog në burgun e Fushë – Krujës, një emër i njohur për policinë, i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Dyshohet se ai është kryesori mes tre atentatorëve.

Arrestimi i tij u bë me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi ka rezultuar se në makinën tip Benz me targë AA342LM që u gjet e braktisur në fshatin Shkafanë, me dy automatike dhe me dy maska, janë gjetur gjurmë gishtërinjsh që përputhen me të tijat. 34-vjeçari është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, teksa po tentonte të largohej nga Shqipëria.

Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj në emisionin Opinion deklaroi: Është një nga personat e përfshirë, siç thotë dhe policia. Roli mbetet akoma për tu qartësuar. Ka një grup prokurorësh që udhëheqin hetimin dhe një grup policie që ka marrë pjesë në hetim. Duket se po bëhet një punë premtuese, policia patjetër që është e bindur mbi bazën e provave shkencore.

Nga ana tjetër gazetari Spartak Koka deklaroi: Në këtë automjet tip “Benz” (i autorëve) i është gjetur një gjurmë gisht, në pjesën e prapme të automjetit që provon lidhjen e këtij personi me automjetin. Gjurmët e gishtit janë krahasuar me ato të Redjan Rrajës, që u përfshi në ngjarjen e vitit 2016, ku akuzohej për prishje të provave në atentatin ndaj Elton Çiços. Po punohet për tablatet telefonike dhe lëvizjet e tij. Ka prova biliogjike që janë gjetur në dy maskat, pritet të dalin përgjigjet e ADN-së së Redjan Rrajës dhe atyre që janë gjetur tek maskat. Automjeti është vjedhur në qytetin e Kamzës disa muaj më parë. Janë dhe dy persona të tjerë që janë identifikuar dhe po punohet ndalimi i tyre. Dyshohet se Redian Rraja të ketë lidhje të forta shoqërore dhe miqësore me një grup tjetër kriminal që është rival me “Rrumin”. Dyshohet të ketë lidhje me pronat por edhe si hakmarrje për një tjetër ngjarje kriminale. / Opinion.al

Share: