Home KRYESORE Atentati ndaj prokurorit/ Detaje të reja, dyshohet për vrasës me pagesë

Atentati ndaj prokurorit/ Detaje të reja, dyshohet për vrasës me pagesë

Atentati i ndodhur ditën e djeshme ku mbeti i plagosur prokuroi Arian Ndoja, Aleksander Laho alias Landi Muharremi dhe Andi Maloku dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet dhe çështja i është dhënë prokurorit Anton Martini i cili mësohet se ka marrë dëshminë e kolegut të tij Ndoja që ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Burimet raportojnë se për momentin po hetohen dy pista, njëra ka të bëjë me atentat për shkak të detyrës ndaj prokurorit Ndoja, ndërsa nuk është përjashtuar edhe mundësia e atentatit për larje hesapesh mes grupeve kriminale të përfshira në aktivitete të paligjshme gjë që do të bënte që shënjestra e autorëve të ishte Aleksander Laho, i njohur si “i forti i Shijakut”.

Objekti i atentatit dyshohet se ka qenë Arian Ndoja pasi automjeti i cili u qëllua nga atentatorët ishte në përdorim të tijin. Nga hetimet paraprake dyshohet se personat që kanë qëlluar kanë gabuar shënjestrën pasi kanë menduar se në drejtim të automjetit ka qenë vetë prokurori Ndoja dhe jo Andi Maloku mbi të cilin janë derdhur rreth 20 plumba nga të cilët 6 kanë depërtuar në makinë.

Në vendngjarje janë gjetur dy lloje gëzhojash, fakt i cili ngre dyshimet se kemi të bëjmë me dy qitës dhe që përputhet me numrin e kallashnikovëve që janë gjetur në automjetin e gjetur të braktisur në Shkafane të Ishmit, ‘Benz 280’, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Para atentatit Ndoja ka qenë duke drekuar me 2 persona të tjerë në një restorant në zonën e plazhit dhe më pas janë larguar nëpërmjet unazës së plazhit dhe kanë rënë në pritë nga autorët pikërisht në momentin kur do dilnin në autostradë, në një zonë që nuk ka kamera sigurie.

Nga kjo ngjarje i plagosur rëndë ka mbetur Andi Maloku i cili ka marrë plumb në gjoks dhe ka kryer ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa Ndoja dhe Laho janë transportuar në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Aleksander Laho i njohur ndryshe si Landi Muharremi mësohet se ka dëme në nofull.

Prokurori Arian Ndoja ka qenë së fundmi në shënjestër të sulmeve të kryeministrit Rama pas arrestimit dhe lënien në burg të ish-drejtorit të Kadastrës së Durrësit. /Opinion.al

Share: