Home KRYESORE Kërkesa e PS drejtuar Kuvendit, Presidenca: Presion mbi prokurorinë

Kërkesa e PS drejtuar Kuvendit, Presidenca: Presion mbi prokurorinë

Mazhoranca qeverisëse, nëpërmjet Taulant Ballës, tha sot se do t’i kërkojë Kuvendit që objektit të hetimit të Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, t’i shtohen edhe shkeljet e tij të fundit sa i përket emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore nga ky komision, Presidenti në një kurs përplasje të plotë të tij me Kuvendin dhe institucionet e tjera kushtetuese ka vijuar cënimin e Kushtetutës me pasoja të rënda, përmes veprimeve konkrete dhe mosveprimeve të qëllimshme. Rrjedhimisht, vlerësojmë të domosdoshme që këto veprime të bëhen pjesë e vlerësimit nga Kuvendi, në kuadër të procedurës së nisur tashmë për shkarkimin e Presidentit të Republikës”, deklaroi zoti Balla. (LEXO LAJMIN KÊTU)

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi nga Presidenca, nëpërmjet zëdhënësit.

“Deklaratat e shëmtuara dhe të dënueshme të z.Balla janë presione të dhunshme dhe të qarta politike ndaj organit të akuzës, për të mos vepruar menjëherë ndaj kallëzimit penal të depozituar dje nga Presidenti i Republikës ndaj z.Ardian Dvorani, besnikut të partisë dhe dhunuesit të vetëdijshëm të ligjit dhe Kushtetutës”, shkruan zëdhënësi Tedi Blushi, në një reagim në rrjetet sociale.

“Presidenti Meta ka qenë shumë i qartë dhe ka paralajmëruar prerë se në të ardhmen nuk do të tolerojë më, as shkeljen më të vogël të procedurave, që synon kapjen mafioze të Reformës në Drejtësi, që tani ndodhet para një momenti historik për të dëshmuar integritetin dhe vërtetësinë e saj!
Për këdo që nuk e ka kuptuar qartë, paralajmërimi është i prerë: larg duart nga Gjykata Kushtetuese! Te gjykata kushtetuese vija është e kuqe, dhe është e kuqe flakë!”, thekson më tej ai./ Opinion.al

Share: