Home KRYESORE Kosovë-Shqipëri Diaspora organizon konferencën e parë shkencore në Berlin

Kosovë-Shqipëri Diaspora organizon konferencën e parë shkencore në Berlin

U organizua në Berlin të shtunën me 26.10.2019, konferenca e parë mbi studimet shkencore tematike për Kosovën dhe Shqipërinë.

Kjo konferencë u organizua nga Organizata e studentëve dhe alumni shqiptarë – OASA në Berlin(www.oasa.berlin) gjithashtu edhe me pjesëmarrjen e Forumit “Albanians for EU”.

Konferenca u zhvillua me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Berlin.

Objektivi i konferencës ishte informimi mbi çështjet që lidhen me prespektivat për Shqipërinë dhe Kosoven por ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor. Tematikat që u prezantuan kishin natyrë teknike dhe shkencore. Disa nga prezantuesit janë studentë të universiteteve të ndryshem në Berlin. Këta kanë themeluar shoqatën e studentëve dhe ish-studentëve (alumni) OASA.

Studentët dhe alumni i përkasin disiplinave të ndryshme dhe jetojnë në Berlin. Këta kanë prejardhje nga shtete të ndryshme të Ballkanit Perëndimor dhe janë shqipfolës. OASA promovon arsimin e lartë, mirëkuptimin mes popujve, shkëmbimin mes studentëve dhe alumni por mbi të gjitha ndërton ura mes Gjermanisë dhe vendlindjet e antarëve të saj. Konferenca u organizua edhe me bashkëpunimin e forumit “Albanians for EU”, themeluar nga Diaspora e Italisë.

Forumi ka 2 objektiva kryesore: 1) të informojë shqiptarët mbi procesin e hyrjes në Bashkimin Evropian por edhe të informojë mbi fondet e BE-së; 2) të rrisë imazhin e shqiptareve dhe vlerën e shtuar që Shqipëria ka për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Konferenca kishte për fokus tematikat dhe sfidat aktuale që Shqipëria dhe Kosova përballen.

Tematikat që u trajtuan në konferencën e organizuar nga shoqata OASA-s në Berlin ishin:

I. Mësimi i gjuhës shqipe në Gjermani dhe roli i tij, Muhamet Idrizi (OASA, Hamburg);

II. Dialogu Kosovë-Serbi nga perspektiva e kushtetutës së Republikës së Kosovës: kushtet, efektet juridike dhe rreziqet, Durim Berisha (Düsseldorf);

III. Roli i grupeve të interesit në Shqipëri në procesin e vendimarrjes politike, Bledar Milari (Bochum);

IV. Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së: mundësitë dhe sfidat, Ela Daci (Romë, Itali);

V. Sistemi bankar dhe financiar në Shqipëri, Eda Meta (OASA, Berlin);

VI. Reforma në drejtësi në Shqipëri – shpresat, sukseset dhe sfidat, Kristi Vako (OASA, Berlin);

VII. Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë me këndvështrim për (mos-)hapjen e negociatave me BE-në, Henri Haxhiraj (OASA, Berlin);

VIII. Teknologjia si ndihmë për themelimin e një rrjeti të Diasporës në Europë, Ermir Lushnjari (Milano, Itali);

Duhet të krijohet një tradicion dhe të zhvillohet konferenca çdo vit me tematika të ndryshme, në të njejtin format.

Qëllimi është që të studiohen tematikat dhe problemet e rajonit por ashtu edhe të sillen zgjidhje. Kontributi i diasporës është një çelës kyç mbi zhvillimin e rajonit.

Diaspora mund të ri-energjizojë dhe rinovojë Ballkanin Perendimor duke sjell përvojë, aftësi, talent, njohuri etj.

Share: