Home KRYESORE Rritet numri i viktimave, pamje nga momentet e shpëtimit nën rrënoja

Rritet numri i viktimave, pamje nga momentet e shpëtimit nën rrënoja

30 të vdekur dhe mbi 650 të lënduar, 8 nga të cilët në gjendje të rëndë. Ky është bilanci tragjik i tërmetit të së martës me magnitudë 6.4 ballë që tronditi Shqipërinë në orën 03:54 të mëngjesit.

Në pjesën më të madhe te zonave ku vijojnë ende operacionet e kërkimit ato drejtohen nga forcat e specializuara, që kanë ardhur nga Kosova, Greqia, Italia dhe vende të tjera.

Po ashtu mbi 2400 punonjës policie të angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë të prekur nga tërmeti janë në terren prej afro 32 orësh në Durrës dhe në Thumanë, Krujë. Mëngjesin e sotëm e deri tani nga rrënojat në Thumanë  janë nxjerrë 3 persona të pajetë dhe kërkimet vijojnë pa ndërprerë.

Qeveria shqiptare shpalli sot gjendjen e jashtëzakonshme. Vendimi u njoftua nga kryeministri Edi Rama i cili mblodhi kabinetin e tij në orët e para të ditës. “Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyra e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranë.

Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t’iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditëshe”, tha kryeministri Rama.

Dëme të shumta janë regjistruar në ndërtesa, shtëpi dhe godina shërbimesh kryesisht në zonën e Durrësit, Thumanës dhe Tiranës. Mbi 40 persona u nxorën nga rrënojat e banesave dhe pallateve të shembur nga lëkundjet e forta. E mërkura është shpallur zi kombëtare./ Opinion.al

Share: