Partia Demokratike i ka drejtuar një kërkesë zyrtare për informacion Qeverisë dhe Bashkisë Krujë në lidhje me 5 çështje që kanë të bëjnë me shembjen e pallateve në Thumanë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.
Qeveria dhe Bashkia Krujë duhet të japë llogari për vdekjen e 24 qytetarëve në Thumanë shkruhet në deklaratën e PD.
Sekretari i Përgjithshëm i PD z. Gazment Bardhi, nëpërmjet ka kërkuar informacion lidhur me veprimet e Bashkisë së Krujës pas tërmetit të 21 shtatorit për verifikimin e pallateve që u shembën në Thumanë.
Ai ka kërkuar gjithashtu se kush janë ekspertët që kanë bërë verifikimin dhe një kopje të akt-konstatimit. Më tej Bardhi pyet nëse qytetarëve i është dhënë informacion për gjendjen e banesave të tyre dhe a u morën masa për strehimin e tyre për mos i lejuar të hyjnë në këto banesa.
Sekretari i Përgjithshëm i PD z. Gazment Bardhi, i drejtohet me kërkesë zyrtare për informacion Qeverisë dhe Bashkisë Krujë, për 5 çështjet e mëposhtme:
1-Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Bashkia Krujë verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së dy pallateve të shkatërruara në Thumanë nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e këtyre pallateve?
2-A u verifikuan dy pallatet në Thumanë pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata? Lutemi një kopje të aktit të konstatimit/verifikimit të hartuar dhe nënshkruar prej tyre.
3-A u lajmëruan banorët për gjetjet e ekspertimit/verifikimit?
4-Nëse godinat ishin vlerësuar si të rrezikshme, çfarë masash u morën për strehimin e banorëve dhe ndalimin e hyrjes në ato banesa?
5-Kush lejoi futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor 2019 dhe mbi çfarë bazë u bë kjo? /Opinion.al