Home KRYESORE DW: E vërteta është nën goditje, dhe kjo na prek të gjithëve

DW: E vërteta është nën goditje, dhe kjo na prek të gjithëve

Presidenti amerikan përhap teori të demaskuara komplotesh, kryeministri britanik mashtron mbretëreshën dhe një ushtri ndërkombëtare e robotëve kompjuterikë ka vetëm një qëllim: të dezinformojë në rrjetet sociale. E vërteta nuk është në gjendje të mirë në fund të vitit 2019.

Ministri i Propagandës i Hitlerit, Joseph Goebbels do të fërkonte duart. Në një kohë që atij i duhet të neutralizonte me qëllim media të caktuara dhe të arrestonte gazetarët në mënyrë që të fitonte kontrollin mbi informacionin, populistët e sotëm e kanë të lehtë: ata dërgojnë pa u palodhur mesazhe në twitter dhe postojnë në to gjysmë të vërteta e të pavërteta. Pasuesit e tyre e shpërndajnë dhjetë mijëra herë marrëzinë e rrezikshme – e edhe kur në mendjet e njerëzve mbetet vetëm një pjesë e vogël e kësaj përmbajtjeje, atëherë demagogët e kanë përçarë kombin pak më shumë, dhe i kanë lidhur pasuesit e tyre me veten pak më fort. Dhe fitorja tjetër në zgjedhje bëhet më e afërt.

“Po të besosh atë që është shkruar këtu, duhet të vizitosh mendjen”

Kushdo që shikon në mediet sociale si për shembull në Facebook qoftë edhe pak mbi flluskën e krijuar nga lajmet e filtruara që i shfaqen në ekran, nuk mund të mos habitet: “[Demokratja amerikane] Nancy Pelosi ka tërhequr 2.4 miliardë dollarë nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore për të financuar procesin e fajësimit [kundër Presidentit Trump],” thotë titulli. Mjafton një klikim dhe unë i them botës atë që më tërbon. Një tjetër klikim dhe unë e shpërndaj titullin revoltues. Si mund t’ua marrë kjo grua paratë të varfërve dhe pensionistëve!

Kjo në një kohë kur mjafton vetëm një klikim për të hyrë në artikullin pas postimit. Dhe ai që është vetëm pak skeptik këtu dhe lexon më me kujdes, shpejt e ka të qartë – që kjo jo vetëm që nuk mund të jetë e vërtetë, po nuk ËSHTË e vërtetë. Artikulli është postuar nën titullin “Satirë që të nxeh”. Dhe një vështrim në shënimin ligjor të faqes në internet zbulon: “Çdo gjë në këtë faqe interneti është e shpikur. Po të besosh atë që është shkruar këtu, duhet të vizitosh mendjen.”

Por kjo nuk bën asnjë dobi: postimi shpërndahet në mënyrë të shfrenuar dhe komentohet me zemërim, gjë që në sajë të algoritmave të facebookut bën që gjithnjë e më shumë njerëz ta gjejnë atë në rreshtimin për ta të “lajmeve”, në Feed. Kjo është dëshpëruese. Pse mund ta besojë dikush një marrëzi të tillë?

Sepse ne ende nuk kemi mësuar si ta trajtojmë një vërshim të tillë informacioni, si ai që na përplaset në fytyrë në rrjetet sociale. Sepse atje askush nuk na thotë se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë është e parëndësishme, çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Gjithçka është njëlloj, gjithçka është në rreshtimin e “lajmeve” për mua, e mira dhe e keqja, e dobishmja dhe e rrezikshmja. Dhe në fund, të gjithë njerëzit në Facebook janë “miqtë” e mi. Dhe miqve të mi unë u besoj.

Kompetenca për mediat dhe qëndrimi i çlirët për të gjithë

Ka ardhur koha për ta denoncuar dhe kundërshtuar këtë besim të verbër – me një koalicion të gjerë pro së vërtetës dhe kundër dezinformimit, lajmeve të rreme dhe për më shumë kompetencë mediatike. Hapat e parë janë bërë: Twitteri ka ndaluar reklamën politike si hap të parë, Facebook-u dhe Google ende llastohen. Por ata nuk do të jenë në gjendje të shmangin marrjen e përgjegjësive prej tyre, po të mos duan ta shkatërrojnë shoqërinë tonë.

Edhe Deutsche Welle merr pjesë në një projekt ndërkombëtar, që synon të kontrollojë faktet në internet dhe mediat sociale, së bashku me shpërndarjen e komptetencës për mediat. Dhe këtu kërkohet mbështetja jo vetëm e institucioneve mediatike, por edhe e institucioneve arsimore. Njohuritë për algoritmet e Facebook-ut, për imazhet e manipuluara dhe për përdorimin e duhur të medieve sociale e kanë vendin në shkolla dhe universitete, por edhe si trajnime në vendin e punës.

Dhe në fund të fundit, diçka mund të bëjë secili prej nesh. Le të mos shpërndajmë asgjë, pa e kontrolluar të paktën shkurt, për të parë nëse është e vërtetë. Në mënyrë që miqtë tanë të na besojnë. Dhe le t’i durojmë tregimet që të ngrenë qimet e kokës përpjetë në Feed-et tona në mediet sociale, ta ruajmë kontaktin me njerëz që i përkasin palës tjetër ekstreme politike. Le t’u dhurojmë atyre me klikime zemra, për shakatë e tyre të padëmshme. Por le t’u tërheqim të paktën vëmendjen, kur ata shqetësohen për ndonjë nga përrallat moderne. Dhe mbi të gjitha: le të mos dëshpërohemi. /DW

Share: