Home KRYESORE Miratohet ‘anti-shpifja’, 82 deputetë votojnë pro në Parlament

Miratohet ‘anti-shpifja’, 82 deputetë votojnë pro në Parlament

Kuvendi miratoi me 82 dhe 87 vota pro, të ashtuquajturën ‘Paketa antishpifje” e cila përbëhet nga dy projektligje.

Prej orës 9:30 të mëngjesit, në hyrje të Kuvendit, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar kundër kësaj pakete ligjore, por deputetët e mazhorancës vendosën që ta kalonin atë.

Paketa e projektligjeve për median online ndryshon 30 nene të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe 5 nene të ligjit “Për Komunikimet Elektronike”.

Kryeministri Edi Rama tha gjatë seancës se gazetarët që kanë dalë në protestë nuk e kanë mbështetjen e organizatave të gazetarëve dhe të shoqërisë civile. Ai foli për organizata të rreme, që sipas tij ngrënë kauza për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve, kur në të vërtetë qëndrojnë vetë gazetarët.

Organizatat e shoqërisë civile shqiptare të të drejtave të njeriut dhe organizatat përfaqësuese të gazetarëve kanë shprehur shqetësimet e tyre prej disa kohësh në lidhje me këto ndryshime pasi sipas tyre ato cënojnë rëndë lirinë e medias dhe e vendosin atë në kontroll të mazhorancës.

Dy pikat kryesore ku është kundërshtuar kjo paketë ligjore është se ajo vendos një regjim administrative të detyrueshëm ndaj mediave online dhe se Autoriteti i Medias Audiovizive merr kompetenca të gjykatës duke vendosur për gjobat dhe deri në mbyllje ndaj mediave online.

AMA është një organ që emërohet nga Kuvendi ndërsa Këshilli Ankesave emërohet nga AMA.

Sipas ndryshimeve të reja në ligjin e medias kur nuk respektohet vendimi i Këshillit të Ankesave, gjoba për portalet do të jetë nga 40 mijë në 800 mijë lekë. Megjithatë, mediat online mund të ekspozohen nga penalizime disafish më të larta deri në 2 milionë lekë nëse ato refuzojnë të zbatojnë vendimet e bordit të AMA-s për të drejtën e përgjigjes dhe korrigjimin. /Opinion.al

Share: