Home KRYESORE Nëntori në Shkup…

Nëntori në Shkup…

Nga Gladiola JORBUS

Fshihem nën hije plepash,
të zbehura nga dielli i nëntorit.
Ditënata në Shkup
me një baladë vjeshte, më ngjet.

Ndonjëherë si murmurimë,
Ndonjëherë si vajtim
Dëgjoj te dridhen
fletët e trëndafilit.
Sa shumë i afrohen parajsës,
Që vjedhurazi,
vjeshta ka endur
mbi tokën e Shkupit.

Fëëëshsh…fëëëëshshshsh…
fëshfërimë në kor.
Gjethet pikojnë
si lotë, të ngjyer në ar…
Hareshëm fluturojnë ngado,
mbi dhe, mbi ne, mbi Vardar.

Këpucët, tutje i flaka,
E këmbët stolisa me to.
Gjethet e Shkupit, në shpirt
më shenjuan përgjithnjë.

Ëndrrat e mia
po ngrihen mbi re,
po vallëzojnë me zogjtë shtegtarë.
Dehur me afsh, e puthur plot zjarr
për të vdekur dhe lindur
sërish, mbi Vardar.

Share: