Home KRYESORE ‘Të gjithë duan izraelitët’/ Pse u bënë kaq të kërkuar pas tërmetit

‘Të gjithë duan izraelitët’/ Pse u bënë kaq të kërkuar pas tërmetit

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, postoi një video të kryeministrit Edi Rama me ekspertët izraelitë në krah gjatë një monitorimi të situatës në Durrës pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

“Faleminderit kryeministri i Shqipërisë, miku im Edi Rama, për fjalët e ngrohta. Izraeli qëndron pranë Shqipërisë në këtë orë të vështirë”, shkruan kryeministri i Izraelit.

Më herët, kryeministri Edi Rama i tha një qytetareje durrsake se duhej të besonte te ekspertët izraelitë pasi janë ‘njësha’. “Puthe shtëpinë se të ka ruajtur,” i thanë izraelitët asaj.

Edhe ministri Bledi Çuçi tha se fama e izraelitëve po përhapet me shpejtësi në Durrës dhe të gjithë po i kërkojnë vetëm ata për të bërë inspektimin e banesave.

Kurse ekspertët izraelitë i kujtuan diçka Ramës teksa po ecte në Durrës. Ata i thanë se godinat e vjetra kanë rezistuar më shumë se të rejat. Por kryeministri i ‘godinave të reja’ nuk reagoi.

Izraelitët fituan zemrën e shqiptarëve pas tërmetit, kur thanë se do qëndrojnë pranë shqiptarëve pasi nuk e harrojnë Holokaustin. Shqiptarët ishin ndër të paktët që i mbrojtën izraelitët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Izraeli sot është një nga vendet më të zhvilluara në botë, sidomos me fokus në fushën e teknologjive të reja. Jo më kot, ambasadori izraelit në vendin tonë tha sot se së shpejti ata mund të hedhin në treg një pajisje që paralajmëron tërmetet.

© SYRI.net

Share: