Home KRYESORE Njihen patentat shqiptare në Greqi

Njihen patentat shqiptare në Greqi

Parlamenti grek ka miratuar Projektligjin e Ministrisë Greke të Infrastrukturës dhe Transportit për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas marrëveshjes, qytetarët shqiptarë të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e testeve teorike dhe praktike për marrjen e lejes greke të drejtimit.

Ata do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri dhe do të marrin atë greke duke pasur mundësinë, të qarkullojnë si drejtues mjeti me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka përshendetur ratifikimin e marrëveshjes duke shkruar se megjithëse një hap i vonuar, ky është një lajm i mirë pasi i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë dhe grekë.

Përmes një postimi në Facebook, Bushati shprehet se marrëveshja lehtëson jetën e qytetarëve, shmang sorollatjen nëpër zyra, harxhimin e kohës dhe iu kursen atyre rreth 700 euro.

Postimi i plotë i Bushatit:
Të dashur motra dhe vëllezër, Parlamenti grek sapo ratifikoi marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Megjithëse një hap i vonuar, ky është një lajm i mirë pasi marrëveshja e firmosur që në 11 maj 2018, pjesë e paketës së çështjeve të pazgjidhura Shqipëri-Greqi, i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë dhe grekë.

Marrëveshja lehtëson jetën e qytetarëve, shmang sorollatjen nëpër zyra, harxhimin e kohës dhe parave. Rreth 700 euro kursejnë qytetarët, të cilët nuk do të kenë nevojë që të kryerjnë nga e para procedurat për t’u pajisur me leje drejtimi.

Gjithashtu të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë përkohësisht drejt Greqisë për arsye familjare, pune apo pushime nuk do të kenë më nevojë të pajisen me leje drejtimi ndërkombëtar. Kjo marrëveshje është një tjetër arritje që pason marrëveshjen për përdorimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit, heqjen e rezervës për përdorimin e vulës apostile për dokumentet, si dhe regjistrimin pranë zyrave konsullore të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi nga një ose dy prindërit që nuk kanë leje qëndrimi të rregullt.

Greqia, përveçse një partner me rëndësi strategjike, anëtarë e NATO-s dhe BE-së, është fqinj me të cilin ndajmë përditshmërinë dhe fatet e përbashkëta për shkak të dinamikës së shkëmbimeve në të gjitha nivelet e lidhjet njerëzore. Është kjo arsyeja që me Greqinë duhet të vijojmë angazhimin e nisur të një politike të hapave të vegjël por të sigurtë. Të një politike që parashtron çështjet dhe skicon rrugëzgjidhje për qyetarët në interes të dy vendeve tona./ Opinion.al

Share: