Home KRYESORE Nuk ju ka gënjyer virtyti Endri Shabani, por ju ka tradhtuar vesi!

Nuk ju ka gënjyer virtyti Endri Shabani, por ju ka tradhtuar vesi!

Nga Elona Caslli

I nderuar Endri Shabani, pata mundësinë , si shumë të tjerë, të përballesha me artikullin tuaj të titulluar “ Prindër na gënjyet”.
E kam të pashmagshme mos të shkruaj dy fjalë lidhur me këtë artikull, duke qenë paraprakisht e vetëdijshme se mendimi im, nuk përfaqëson, veçse mendimin e një njeriu të zakonshëm në këtë qytet.

Unë nuk jam prind, por teksa shkruaj këto fjalë, po vendosem në pozitat e një prindi shqiptar, që lexon artikullin tuaj.

Të jetosh, si individ ndershmërisht në Shqipëri, është e vështirë. Të edukosh ndershmërisht fëmijët e tu, në këtë vend është akoma më e vështirë.

Është e vështirë rruga e virtytit në këtë vend dhe një prind, që e ka edukuar fëmijën e tij përmes virtytit, ka privuar veten nga shumë gjëra, ose më saktë e ka harruar veten.

Jeta e tij, është derdhur në jetën e fëmijës së tij duke filluar që nga edukimi në shkollë e deri tek librat jashtë saj.

Janë prindër që kanë harruar vetveten . Dhe me harrimin e vetves, nënkuptoj fshirjen e çdo dëshire, që mund të kenë patur si individë.

Kanë mbytur dëshirat e tyre, që të përmbushnin dëshirat e fëmijëve të tyre, me shpresën se dikur virtyti do të vlerësohej dhe mbi të gjitha me vullnetin e mirë, që t’i dhuronin shoqërisë shqiptare një qytetar të denjë për këtë emër.

Nuk kanë gënjyer këta prindër, Endri Shabani. Kanë qenë të vërtetë deri në dhembje, qoftë në përkushtimin e tyre dhe qoftë në vetësakrifikimin e tyre.

Tjetërkund qëndron gënjeshtra, nëse jeni në kërkim të saj.

Qëndron tek prindërit që janë riprodhuar, por nuk kanë prindëruar kurrë. Aftësia e riprodhimit nuk është medoemos e barasvlershme me aftësinë e prindërimit.

Gënjeshtra qëndron tek ata prindër ,që fëmijët i ngjizën dhe i rritën në ves, me vullnet dhe vetëdije të plotë.

Qëndron tek ata prindër, fëmijët e të cilëve, fshijnë djersët me euro, nëpër festa dhe histeri kolektive.

Qëndron tek ata prindër, fëmijët e të cilëve, shkundin kryeqytetin, kur organizojnë festat me fishekzjarre.

Qëndron tek ata prindër, që me vullnet të plotë , përçmojnë dhe zhvlerësojnë njeriun e virtytshëm.

Post Scriptum- Virtyti nuk është gënjeshtër , Endri Shabani!

Elona Caslli

Share: