Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Shëndetësia, atje ku hallet kanë fytyrën e njeriut

Shëndetësia, atje ku hallet kanë fytyrën e njeriut

NGA ARTUR NURA

Së fundi, shëndetësia shqiptare dhe veçanërisht mjekësia e shtetit shqiptar, po ballafaqohen me krizën e radhës e cila shfaqet përsëri me përmasa tragjike! Edhe këtë radhë nga shqetësimi i pakontrolluar i një familjari, njërit prej të shumtëve të cilët gjenden në pozita të ngjashme, rrezikoi të shuhej jeta e një mjeku!

Më parë, një tjetër mjeku të njohur iu vunë prangat, sepse u kap me para të dhëna nga familjarët e një pacienti të tij. Nuk e di nëse atij iu vërtetua një gjë e tillë nga një gjykatë, por ndërkohë të gjithë e dimë që të gjithë mjekët pothuajse marrin para dhe shumë prej nesh u japin të drejtë për këtë.

Në fakt, pas arrestimit të kolegut të tyre shumë pak prej profesorëve dhe kolegëve të tij folën publikisht në mbrojtje të kolegut të tyre! Me sa duket, kishin kuptuar impenjimin politik të mazhorancës dhe kryeministrit Rama!

Sot, në ekranet e shumta, radiot, gazetat po shfaqen kryesisht të gjitha figurat e shëndetësisë të cilët i bëjnë apel shtetit për ruajtjen e jetës dhe dinjitetit të tyre, duke kërkuar edhe një status të veçantë të afërt me atë të policit apo gjykatësit!

Ndoshta me të drejtë këta profesorë të mjekësisë akuzojnë edhe mediat e ndryshme të cilat herë pas here shfaqen me mungesë të theksuar profesionalizmi!

Në fakt, një lloj papërgjegjshmërie qytetare në mass media është parë kur ndonjë gazetar që paguhet shumë mirë, filmonte fshehtazi një mjek që paguhet shumë keq në anën zyrtare!

Sot ka edhe mjekë të njohur që me të drejtë thonë se fajin nuk e kanë as pacientët, as mjekët, por sistemi shëndetësor i cili është plotësisht i paorganizuar drejtë ne fushën e kompetencave dhe shpërblimeve!

Është e qartë se këto vitet e fundit po mendohet për zgjidhje serioze, por kur dëgjoja me pare mjekë të spikatur që hidhin në publik si “Eurekën e radhës” sigurimet shëndetësore si të vetmen zgjidhje të krizës. Kjo të trishton, kur kujton se të njëjtën gjë deklamative e kanë bërë edhe shumë vite më parë!

Të paktën jam dëshmitar në emisionet e ndryshme që kam moderuar në “Gjeli vizion” , “NTV” dhe “Report Tv”ku si sot edhe atëherë asnjëri prej tyre nuk na thotë përse nuk është bërë deri tani ajo që duhet me sigurimet shëndetësore… pa dyshim ne të tjerët duhet të themi me zë të lartë se për këtë pa dyshim nuk e kanë fajin pacientët e varfër që vuajnë më shumë se mjekët krizën e shëndetësisë!

Sistemi shëndetësor, parë si pacient

Fati u bë i pamëshirshëm për një të afërmen time e cila pati një aksident me makinë! Ajo ishte me shërbim në Vaun e Dejës dhe atje automjeti i institutit të saj u përplas me një karrocë fshati e cila lëvizte në autostradë pa asnjë lloj sinjalistike dritash!

Ndërsa, prej frakturave u shtrua në pavijonin e Ortopedisë në Spitalin Ushtarak. Ajo iu nënshtrua një operacioni për të rikuperuar dëmin e madh i cili në sajë të profesionalizmit të mjekut përkatës doli me sukses!

Por, në ato ambiente të Spitalit Ushtarak, përtej dhimbjes së saj, nevojës për asistencë familjare, sepse ajo mjekësore ishte pothuaj e munguar, aty mund të shihje vërtet se hallet mund të kenë fytyrën e njeriut!

Varfëria kontrastonte me mirëqenien të cilën e gëzonte kryesisht personeli mjekësor, i cili duhet thënë se tashmë bakshishet nuk i merrte më me aq kollajllëk!

Kishte një frymë frike dhe mosbesimi reciprok! Kjo padyshim që reflektohej edhe në gjendjen e pacientëve të cilët nuk kishin më besimin e mëparshëm tek personeli mjekësor!

Varfëria e tyre ndihej në vështirësi, mungonte një sistem i organizuar dhe familjareve u duhej të gjëmonin krevatet me rrota, infermieret, laboratorët…

Atje ku hallet kanë fytyrën e njeriut

Personalisht kam qenë publikisht në anën e mjekësisë e cila pa dyshim që ndodhet në pozitë sociale të vështirë prej vitesh. Atëherë, kur mjekët gjëmoheshin me kamera të fshehta, unë kam bërë disa emisione për pagesat qesharake të tyre dhe nevojën e formalizimit të tregut informal edhe në shëndetësi.

Për fat keq, përtej zhvillimeve mjaft pozitive të realizuara në këto vite në Shqipëri, më rezulton se varfëria është shumëplanëshe në shoqërinë tonë. Ajo mund të gjendet si në pikëpamjen e formimeve kulturore, ashtu edhe nga ajo materiale dhe për më tepër duke na dhënë një kontrast të stërmadh gjithashtu.

Të mjafton të shkosh ngado pranë njerëzve ne ambiente spitalori dhe ambulancash e poli ambulancash dhe të shohësh fytyra të qeshura dhe të rrumbullakosura që bashkëjetojnë me fytyra të cilat pa dyshim shprehin dhimbje, vuajtje dhe shqetësim.

Në fakt, këtë panoramë dyplanëshe dhe me kontrast të madh e gjen kryesisht por jo vetem në ambiente spitalore, edhe ambasadash, zyrash publike, gjykatash, shkollash publike dhe private, qendër dhe periferi kryeqyteti dhe qytetesh.

Për fat të keq, këto dy plane kontrastesh sociale dhe kulturore nuk është se në ekranet, mikrofonat dhe faqet e shtypit të shkruar gjejnë pasqyrim realist dhe ballafaqohen me një kritikë substanciale për ta ndryshuar këtë realitet ndaj një dimensioni më human dhe social…!

Share: