Home KRYESORE Televizioni, Feja dhe etika

Televizioni, Feja dhe etika

Nga Artur Nura

Para disa kohesh, një emision televiziv u mor me diskreditimin e të ashtuquajturve “profetë” apo individë që “shërojnë”, duke shfrytëzuar besimin që disa njerëz kanë ndaj disa fuqive të tyre të paqarta, apo abuzuese.

Në emision u tha që këta “sharlatanë” shfrytëzojnë mosdijen e disa njerëzve dhe iu bë thirrje publikut që të mos besojë tek ata individë. Personalisht gjykoj se koncepti i mosdijes është shumë më i gjerë se kaq dhe mund të më përfshijë mua, limitet e shkencave të shëndetësisë edhe sigurisht drejtuesit e emisionit.

Emisioni, sigurisht i nisur me një vullnet pozitiv, pa dashur u tregua i njëanshëm nga pikëpamja fetare dhe ajo e besimit duke tejkaluar institucionin e tyre parimisht laik. Aty ishte ftuar edhe z. Ermir Gjinishi, përfaqësues i nderuar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Z. Gjinishi, pasi dëgjoi njërën prej tyre të vetëdeklarohej “profete”, si teolog dhe duke i qëndruar doktrinës së tij fetare, u shpreh se ajo ishte qesharake dhe se profeti i fundit ka zbritur një herë në tokë dhe pas tij nuk ka të tjerë.

Pa dyshim që z. Gjinishi me të drejtë iu referua profetit të tij të madhnueshëm Muhamed, por po të ishte në atë emision edhe një përfaqësues tjetër i fesë kristiane, ai me siguri që do të thoshte se profeti i fundit ka zbritur në tokë 2020 vite më parë dhe se…

E thënë më thjesht, kështu emisioni nuk politizoi, por fetarizoi programin e tij në mënyrë të njëanshme dhe kjo u duk më qartë ndërsa u ironizuan gjithashtu edhe kolegë të tjerë gazetarë të ekranit të vogël të cilët për zgjedhje të tyre individuale mbanin kryqin në qafë…

Rastet e cituara në emision…

Ndoshta për rastet e cituara nga emisioni mund të kemi të bëjmë me mosdije nga të dyja palët, si “profetët” ashtu edhe të “gënjyerit” e tyre, por sigurisht që të tilla fenomene kërkojnë studime të mirëfillta shumëplanëshe.

Personalisht, kam realizuar një cikël emisionesh televizive me të njëjtën temë në një TV dhe kam hetuar raste të veçanta dhe të përgjithshme. Kam intervistuar mjekë të njohur, teologë, studiues të psikanalizës dhe psikologjisë dhe pjesa më e madhe e tyre binin dakord se ka shumë fenomene në shëndetësi të cilat nuk kanë akoma shpjegim të qartë shkencor.

Kujtoj këtu që një mjeke psikiatre shumë e njohur ndërsa më referonte raste interesante të cilat kishin gjetur shërim nga psikoterapia dhe kujdesi i saj, nuk dinte të shpjegonte si ishte e mundur që mbi trupin e pacientëve të saj të ndodhnin fenomene fizike që nuk kishin asnjë shpjegim shkencor.

Mjekë të njohur kanë referuar studime nga ku sipas tyre, ka rezultuar se besimtarë të sëmurë, ndaj të cilëve mjekësia ishte dorëzuar, kishin pasur rezultate pozitive me kurim bazuar në filozofi fetare dhe në këtë rast ndoshta z. Gjinishi do të ishte dakord…

Dua të kujtoj për lexuesin se në njërin prej atyre emisioneve të sipërpërmendura, imami i nderuar i Xhamisë së Tabakëve, Elvis Naçi, pasi u tregoi teleshikuesve të ekranit se edhe hoxhallarët kujdesen për besimtarë të caktuar dhe të sëmurë, ai me tone të sigurta parashtroi se kjo ndodh gjithmonë pasi nga ta ka hequr dorë mjekësia…

Etika në fushat e tjera dhe gazetari…

“Ne u sugjerojmë besimtarëve të vizitohen tek mjeku”, – tha imami Elvis Naci në atë emision dhe unë dua të them se këtu nis etika dhe qytetaria e mirëfilltë. Një teolog që respekton disa rregulla bazë, nuk merr kurrë përsipër një rast para një mjeku profesionist.

Pa dyshim që etika dhe qytetaria tek “profetët” parimisht nuk mund të jetë në nivelin e mjekut apo teologut, qoftë ky prift apo hoxhë. Por, për të respektuar etikën në gazetari, duhet thënë se vetë njerëzit, kushdo qofshin këta, parimisht nuk shkojnë kurrë tek “profetët” pa mbaruar punë fillimisht me mjekët!

Duke u qëndruar koncepteve etike të gazetarisë duhet thënë se ajo në të cilën në një emision kishte të drejtë dhe i qëndron formatit të atij emisioni shumë të ndjekur, konsistonte në faktin e detyrimeve që këta individë duhet të kenë ndaj shtetit.

Meqenëse këta individë “profetë” ushtrojnë një shërbim të caktuar dhe marrin shpërblime financiare nga “pacient-klientët” e tyre, duhet të përgjigjen kundrejt detyrimeve administrative shtetërore dhe konkretisht zyrës së tatimeve!

Por, pjesa tjetër e këtij fenomeni publik të “profetëve” duhej lënë të trajtohej ndoshta nga emisioni tjetër. Aty do mund të dëgjohej si teologët, përkatësisht përfaqësues të të dyja feve bazë në Shqipëri, dhe shumë studiues të tjerë të fushave të ndryshme të cilët edhe mund të hidhnin dritë mbi këtë fenomen publik, sigurisht duke diskretituar rastet individualisht dhe me argumente shkencore dhe etike.

Në fakt, jeta e sotme publike dhe me demokraci në zhvillim ka në të gjitha fushat si nivele profesionale ashtu edhe amatore. Profesionistët pa dyshim që mbijetojnë më me dinjitet dhe duke respektuar një etikë bazë, por kjo nuk kufizon aspak shumë amatorë të jenë më dinjitozë dhe të arritur se një pjesë e mirë e profesionistëve.

Kjo ndodh si në mjekësinë shkencore, ashtu edhe atë alternative, si në art, muzikë, pikturë, ashtu edhe gazetari e kudo gjetkë. Pa dyshim, ajo që shquan kategoritë e ndryshme konsiston në respektin ndaj etikës profesionale dhe qytetare…

Share: