Home KRYESORE Aksion ‘blic’ i policisë në 8 qarqe,Veliu: Janë vënë në pranga 115...

Aksion ‘blic’ i policisë në 8 qarqe,Veliu: Janë vënë në pranga 115 persona

Policia ka vënë në pranga 115 persona mbrëmjen e së enjtes në një operacion për goditjen e organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit, njoftoi kreu i policisë Ardi Veliu.

Në një deklaratë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se janë shpallur në kërkim 2 persona të tjerë ndërsa 24 janë proceduar në gjendje të lirë. Në total autoritetet kanë sekuestruar 172 milionë lekë të vjetra.

Operacioni është zhvilluar në të njëjtën kohë në disa qarqe të vendit përkatësisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë dhe Shkodër. Gjithsej në të u përfshinë 1540 forca policore njoftoi Veliu dhe u ushtruan 486 kontrolle në lokale dhe ambiente që dyshohej se zhvillohej kjo veprimtari kriminale.

Gjatë këtij aksioni policia sekuestroi në Tiranë një sallë qendrore monitorimi, e cila monitoronte aktivitetin që zhvillohej në pikat e tjera që zhvillohej ky aktivitet. Aty u gjetën dhe kapën në punë të zezë 6 punonjës, 20 monitorë, 17 DVR dhe administratori i sallës, shtetasi G. M. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan 170 milionë lekë të vjetra, të grumbulluara nga bastet.

“Në Tiranë janë arrestuar 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve ku organizonin lojërat e fatit dhe kishin vënë në dispozicion të ambienteve për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm. Në Korçë janë arrestuar 9 persona dhe 7 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milion lekë të vjetra. Në Elbasan janë arrestuar 7 persona dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në Durrës janë arrestuar 5 persona dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë. Në Berat janë arrestuar 4 persona, 6 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim. Në Fier janë arrestuar 3 persona dhe 3 janë proceduar në gjendje të lirë. Në Shkodër janë arrestuar 3 persona, 3 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milionë lekë të vjetra. Në Lezhë janë proceduar në gjendje të lirë 3 persona”, tha Veliu. /Opinion.al

17

Share: