Home KRYESORE Djali i kryeministrit shqiptar me të cilin u dashurua motra e Agnellit...

Djali i kryeministrit shqiptar me të cilin u dashurua motra e Agnellit dhe vajza e Musolinit

Eric Faye, nën përkujdesjen e të cilit doli dhe libri “Kujtimet e një evropiani”, do të shprehej: “… A mund të ndodhin vallë në Evropën e sotme, në historinë tonë bashkëkohore, përvoja e fate aq verbuese, aq të pasura, dramatike e plot të papritura si jeta e atij njeriu? …Me një fëmijëri alla Nabukov e “rini të artë”, shoqëruar me shumë vite studimesh, të cilat, më pas kultivuan tek ai një shpirt e karakter të fortë, të aftë për t’u bërë ballë situatave nga më të komplikuara, përfshirë edhe kampet staliniste të punës alla Solxhenicin…”.

Jusuf Vrioni lindi në Korfuz më 1916. I ati, Iliaz Vrioni, pat qenë dy herë kryeministër i Shqipërisë: në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës më 1921 e më pas, pak muaj para revolucionit demokratik të Fan S. Nolit, më 1924. Mbas triumfit të Legalitetit, A. Zogu e emëroi Vrionin ministër të plotfuqishëm të Shqipërisë në Paris, kështu që krejt familja u instalua në 11 bis, avenue Victor Hugo. Në qytetin Lumière, jeta e Jusufit të vogël 9-vjeçar, mori dimensione e hapësira të reja magjike. Regjistrimi, së bashku me vëllanë në liceun Janson-de-Sailly, integrimi në shkollë e në jetën e Parisit, zbavitjet, lodrat me patinazh, garat sportive, leximet, pushimet në Saint-Tropez, Bretagne e Loire, – të gjitha këto e bënë të zbulojë e të përjetojë bukurinë e një bote të re, gjer atëhere krejt të panjohur.

Vitet kalojnë pa u kuptuar. E ja, mes argëtimeve e pasioneve rinore, papritmas, një dramë familjare. Në moshë 16 vjeç ai provon një humbje mjaft të rëndë. Më 17 mars 1932, vdes i ati. Duke qenë Grand Officier du Légion d’ honneur, Vrioni përcillet me nderime të veçanta. Trupi i tij varroset në Shqipëri, ndërkohë që familja vendos të qëndrojë në Paris. Plaga mbyllet shpejt e djaloshi u përkushtohet pasioneve të moshës, veçanërisht muzikës, letërsisë e argëtimeve. Autorët e tij të preferuar? Proust, Mauriac, Montherlant, Gide. Dëfrimet? Në shoqëri të zgjedhur. Në Villa d’Este mes orkestrave të xhazit. Në Hotel de Caux, ku njihet me të famshmen Coco Chanel, stilisten dhe krijuesen e parfumit të njohur Chanel 5, etj.

“Fundi i viteve ’30, qe për mua diçka e mrekullueshme. Më ndodhte shpesh të zgjohesha në mes të natës e të thosha me Vete: O Perëndi! Ç’mrekulli është të jetosh këtu! Ato ishin edhe vitet më të bukura të jetës sime…”

Në vjeshtën e vitit 1938, ai regjistrohet në fakultetin e drejtësisë e shkencave politike. Ndërkohë, atmosfera e një lufte të re në Evropë ndihet përditë e më e pranishme. Mars 1939, Gjermania pushton Çekosllovakinë. Gazetat shkruajnë se pushtimi i Shqipërisë nga Musolini pritet me ditë. E, vërtet, në 7 prill trupat italianë zbarkojnë në plazhin e Durrësit. Të nesërmen, Jusufi me vëllanë vendosin të kthehen në atdhe… Si pjesëtarë të një familje me emër e mjaft influencë, ai e rrethi i tij shihen nga italianët me sy të mirë e ofertat për t’i shërbyer pushtetit të ri s’mungojnë. Vëllai emërohet me punë në ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë Italiane, e bashkë me të në Romë shkon dhe Jusufi, i cili dëshiron të vazhdojë studimet e lëna përgjysmë në Francë.

Jeta në kryeqytetin italian, duket se është vazhdimi i asaj të Parisit. Vizita, gosti e miqësi të reja mes rinisë së artë romane. Me Edda Cianon, vajzën e Mussolinit, gjatë pushimeve në Sestriere. Me Susanna Agnellin, në mjediset e Albergo dei Duchi. Me Gioia Marconin, vajzën e të famshmit Gugleielmo Marconi, fitues i çmimit Nobel në fizikë. Me Anna Magnanin, aktoren e madhe të kinemasë italiane.

“…Ndieja adhurim të veçantë për njerëzit që kisha njohur. Por jeta prej paraziti në mjedise të tilla mondane, natyrisht, shpeshherë më provokonte një ndjenjë poshtërimi, sepse dëfrimet, në thelb, nuk më sillnin veç kënaqësi të përciptë. Ndieja se duhej të merresha me diçka më të rëndësishme, por si, ku e qysh, nuk dija. Ajo gjendje shpirtërore, ato mendime e vrarje ndërgjegje, nuk vazhduan gjatë. Një ditë, një mik i ngushtë, më tha: Jusuf! Më fal që po të pyes, po ti ç’bën këtu? Nuk mendon se vendi yt është të ndodhesh në Shqipëri? Dhe ish pikërisht gjatë verës së vitit 1943 që më së fundi vendosa të kthehem në atdhe. Ndofta atje mund të merresha me diçka. Bie fjala, të botoja një gazetë…”

Vrioni kthehet në Tiranë duke bërë një jetë, siç shprehet ai, relativisht të sigurt, por në një gjendje pasiviteti pothuajse fajtore.

“Shoqërohesha me ca miq, të cilët, ashtu si unë, kishin studiuar jashtë e nuk ishin të angazhuar. Takoheshim së bashku pothuajse çdo ditë dhe e kalonim kohën duke diskutuar në Tennis Club apo te Kafé Sahati, pranë xhamisë ( … ) Ndërkohë, në 29 nëntor 1944, qeveria partizane e formuar në Berat, mbërriti në Tiranë. Viti në vazhdim, shënoi një periudhë pritje për Shqipërinë. Komunistët nisën të zbatonin politikën e “dorashkave të kadifenjta “. Ngado dukej fryma e njëfarë “tolerance”. Megjithatë, në prill 1945 u zhvillua një proces i madh kundër “kolaboracionistëve”, i cili përfundoi me rreth 20 ekzekutime. Shumë të tjerë u pushkatuan në vend, nën akuzat se kishin denoncuar tek pushtuesit, baza apo guerrilas të rezistencës. Ndërkohë, doli fjala se, në fshehtësi, Garda e Mbrojtjes së Popullit me në krye sekretarin organizativ të Partisë, Koçi Xoxe, kish nisur nga spastrimet …”

– Ti je Jusuf Vrioni? Hajde me ne! Kemi ca pyetje për të bërë!

Paradhoma e vdekjes. Kështu e quan J.Vrioni qelinë e tij. Aty ku e mbajnë të lidhur ditë e natë me zinxhirë dhe e torturojnë mizorisht.

“Kur erdhi radha e seancës së pyetjeve, fillimisht këmbëngula se nuk dija gjë. Atëhere filluan sharjet me fjalët më të ndyra, shoqëruar me shuplaka, grushte e shqelma në pjesët më delikate të trupit. Pastaj metodat e torturës u ndryshuan. Nisën të më godasin me çomange, vazhduan me elektroshok e përfunduan duke më shtrirë mbi një bankë të quajtur “jeleku”. Ajo lloj torture niste me lidhjen e duarve e këmbëve e kalimin mes tyre të një trari. Pastaj, në atë pozicion të kryqëzuar, pa pasur mundësi për mbrojtjen më të vogël, fillonin goditjet me shkopinj para e mbrapa, duke kërkuar që të rrëfeja. Atë metodë torture ma bënin gjashtë herë në javë. ( … ) Por më çnjerëzoret ISHIN ato 15 ditë e 15 net, kur më varën nga duart në tavanin e qelisë, duke më hedhur rreth qafës 30 a 35 kg ZINXHIRË. Nuk kisha ku të mbahesha. Dyshemenë arrija ta prekja vetëm me gishtat e këmbëve. Çdo gjë qe llogaritur që të mos mbështetesha diku. Pyetjet që më bënin ishin më tepër në drejtim të misioneve ushtarake angleze e amerikane si edhe rreth marrëdhënieve që kisha pasur me personelin e tyre. Donin të dinin se çfarë informacionesh u kisha dhënë. Pastaj mundoheshin të provonin e të faktonin veprimtarinë time politike gjatë të ashtuquajturave zgjedhje ” demokratike”. Me kë isha takuar? KUSH QENË anëtarët e grupit tonë ” armiqësor”? Cili qe qëllimi i mbledhjeve tona? …Unë mohoja, duke pranuar vetëm një gjë: qëllimi ynë ish të formonim një opozitë legale sipas neneve të parashikuara nga Ligji Elektoral. ( … ) HETIMET VAZHDUAN nga shtatori gjer në nëntor e pastaj më transferuan në një qeli tjetër. Aty pranë, ngjitur me mua, lëngonte shkrimtari Mitrush Kuteli, i cili herë pas here më recitonte me zë të ulët vargje nga poema e tij ‘Kosova’…”

Me sentencën e 29 qershorit 1950, Vrioni u dënua me 15 vjet burg, i akuzuar si agjent i shërbimeve të huaja sekrete.

“…Vizita e parë në burg, 34 muaj mbas arrestimit, qe ajo e nenës. E gjora nenë! …Që përtej hekurave mundohej ta mbante veten. Por sytë i kish mbushur plot lot. Ashtu si dhe unë nga ana tjetër. Më pyeti për shëndetin e pastaj më foli për veten, për gjithë ç’kishë hequr mbas arrestimit tim. Fillimisht e kishin dëbuar nga Tirana dhe kish mundur të strehohej te ca kushërinj në Durrës. Por edhe aty s’e kishin lënë të qetë. E kishin çuar në fshatrat e Fierit, ku jetonte në një kasolle. Pa tavan e dysheme. Direkt e mbi argjilë…”.

E pastaj vijojnë vitet e tmerrshme nëpër burgjet shqiptare. Vuajtje, punë e detyruar, poshtërime e fyerje. Takime me të burgosur, njerëz të njohur, intelektualë të shquar. Me Fiqri Llagamin, Arshi Pipën, Suad Asllanin e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, të cilët lëngonin në ferr. Në verën e vitit 1952 e transferojnë në Burrel. Aty, në kampin skëterrë e mbajnë tri vjet. Udha e Golgotës vazhdon pastaj nëpër gulagë të tjerë. Në Berat, Rinas, Shtyllas e Radostine, aty ku mijëra e mijëra të burgosur punonin në kushte çnjerëzore. E, së fundi, më 3 dhjetor 1959, mbas 12 vjetësh burg, vjen dita e lirimit…

Pse u lirua Vrioni?

Shtetit komunist nuk i leverdiste që ta mbante të kyçur nëpër burgje një mendje si të Vrionit.

Më 1960, për nevojat e propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes.

Ndër përkthimet e tij të para numërohet ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’ i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegancës së frëngjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes i pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.

Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqërisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë burrin e moshuar që ai ish të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur. Më 1998 emërohet Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhrin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhrin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze.

Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në maj 2001 ndërsa shërbente si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.

Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit, do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 qershor 2001, me titullin Qytetar Nderi.

Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë më 2006 krijoi çmimin Jusuf Vrioni.

Eric Faye, nën përkujdesjen e të cilit doli dhe libri “Kujtimet e një evropiani”, do të shprehej:

“… A mund të ndodhin vallë në Evropën e sotme, në historinë tonë bashkëkohore, përvoja e fate aq verbuese, aq të pasura, dramatike e plot të papritura si jeta e atij njeriu? …Me një fëmijëri alla nabukov e “rini të artë”, shoqëruar me shumë vite studimesh, të cilat, më pas kultivuan tek ai një shpirt e karakter të fortë, të aftë për t’u bërë ballë situatave nga më të komplikuara, përfshirë edhe kampet staliniste të punës alla Solxhenicin…”./Konica.al./

Share: