Home Approccio Italo Albanese MBLEDHJA II E TRYEZËS SË ENERGJISË

MBLEDHJA II E TRYEZËS SË ENERGJISË

Në vijim të nismave të datës 9/10 prill të vitit të kaluar, Ambasada e Italisë në Tiranë, Italian Trade Agency, Dhoma e Tregtisë italiane në Shqipëri dhe Confindustria Albania, ditën e mërkurë, datë 12 shkurt 2020 do të organizojnë Mbledhjen e Dytë të Tryezës së Energjisë, një takim për një përballje të vazhdueshme mes institucioneve kryesore të Sistemit Italia në Shqipëri, autoriteteve dhe institucioneve kompetente shqiptare dhe sipërmarrjeve italiane aktive në sektorët e ndrshëm të energjisë.

Qëllimi parësor është që t’i paraqiten sipërmarrjeve kryesore mundësitë/sfidat me të cilat do të përballen Shqipëria dhe Rajoni i Ballkanit perëndimor në të ardhmen e afërt për sa i përket proceseve të reformës legjislative dhe një tranzicioni energjitik drejt energjive të reja të rinovueshme, duke parashtruar vështirësitë dhe problemet e mundshme që mund të hasin investitorët e rinj dhe operatorët tashmë të konsoliduar në vend.

Në fakt, është parësor garantimi i sipërmarrjeve italiane të pranishme në vend si dhe i atyre sipërmarrjeve gjithmonë e më të shumta në numër, të cilat kanë shprehur interes për investime të reja në sektorin e energjisë në Shqipëri, duke u ofruar një kuadër sa më të plotë e të qartë të reformave të ardhshme si dhe të politikave të Qeverisë shqiptare për sa i përket 4 aspekteve kryesore: (i) hapat që duhen ndjekur për një integrim energjitik rajonal më të gjerë; (ii) krijimi i një tregu të energjisë më konkurrues; (iii) krijimi i një burse të energjisë; (iv) politikat për zhvillim dhe shumëllojshmëri të spektrit energjitik në Vend.

Nisma, në të cilën do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Autoriteti Italian i Rregullatorit të Energjisë së Rrjetit dhe Mjedisit (ARERA), nga Administratori i Shërbimeve të Energjisë (GSE), nga Administratori i Tregjeve Elektrikë (GME) dhe nga TERNA, merr shkas edhe nga fillimi i fazës së tretë të programit të ndihmës teknike KEP/CEI “Central European Initiative Support for Strenghtening Energy Regulatory Authorities in the Western Balkans” projekt i cili ka përfituar nga mbështetja ekonomike e fondit CEI, i financuar tërësisht nga qeveria italiane, pranë Bankës evropiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH).

Nisma, e kryesuar nga ARERA me mbështetjen e TERNA dhe GME, përqëndrohet kryesisht në transferimin e njohurive mbi mekanizmat e market coupling autoriteteve të rregullimit të Shqipërisë (ERE), Malit të Zi (RAE), Serbisë (AERS) dhe, në fazën e tretë të projektit, edhe të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Synimi përfundimtar është nxitja e harmonizimit të rregullave dhe integrimi i tregjeve të energjisë me qëllim krijimin e një tregu elektrik Rajonal të sigurt, efikas, dhe të integruar me tregun e përbashkët evropian, duke nisur nga një implementim i saktë i kuadrit të ri rregullues të tregjeve evropiane të energjisë elektrike dhe të gazit i parashikuar nga i ashtuquajturi Paketa e Tretë (kodet e rrjeteve evropiane).

Mbledhja e dyte e Tryezës së Energjisë, do të ofrojë gjithashtu edhe mundësinë e ceremonisë së nënshkrimit të një Marrëveshjeje Mirëkuptimi për bashkëpunim dhe ndihmë teknike mes Administratorit të Shërbimeve Energjitike (GSE) dhe Agjencisë shqiptare për Efiçencën Energjitike

Share: