Home KRYESORE Bill Clinton flet për skandalin seksual: Më ndihmonte me ankthin

Bill Clinton flet për skandalin seksual: Më ndihmonte me ankthin

Në një dokumentar që trajton jetën e çiftit Clinton në vitet 1990, ish-presidenti i Amerikës, Bill Clinton iu rikthye skandalit të tradhtisë me Monica Lewinskyn.

Clinton u shpreh se lidhja e shumëpërfolur, e ndihmonte për të menaxhuar ankthin. Ai rrëfeu se ndihet “tmerrësisht keq” por shtoi se gjithçka erdhi si rezultat i dëshirës për të përballuar presionin, zhgënjimin dhe frikën në Shtëpinë e Bardhë.

“Ndonjëherë bëjmë gjëra që nuk duhet t’i bëjmë. Ishte e tmerrshme çfarë bëra,” tha Clinton.

Rrëfimi i tij u dokumentua në “Hillary”, një dokumentar që përmbledh jetën e ish-Zonjës së Parë dhe karrierën e kandidates demokrate për Shtëpinë e Bardhë në 2016-n, Hillary Clinton.

Kujtojmë se skandali seksual i Clinton me praktikanten 22-vjeçare, Monica Lewinsky ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes së mediave. Marrëdhënia e tyre e fshehtë zgjati rreth viteve 1995-1997 por u bë publike në vitin 1998.

Vetë Lewinsky ka pranuar se marrëdhënia u aprovua nga të dyja palët, dhe se ajo hyri me dëshirë në një raport të tillë. Megjithatë, ajo ka insistuar se abuzimi erdhi më vonë, kur u përpoqën ta përdornin për të mbrojtur pozitën e tij të fuqishme.

Lewinsky, po ashtu ka pranuar faktin që skandali seksual dhe politik që e bëri emrin e saj të pushtonte mbarë botën, ia bëri të mundur ndërtimin e një karriere.

“Emri është Monica Lewinsky. Edhe pse shumë herë jam këshilluar ta ndërroj, nuk e kam bërë. U dashurova me shefin tim, ashtu si do të bënte çdo 22-vjeçare. Ndodh! Por, shefi im ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara. Jam penduar për shumë arsye. Një prej të cilave është se shumë njerëz u lënduan. Brenda natës u shndërrova nga një person krejtësisht privat në një të turpëruar publikisht përmes internetit. Isha zero. Pata periudha që mendoja vetëvrasjen. U bëra e varur nga gjalpi i kikirikut dhe karamelet M&M, ndërsa mendimi më i shpejtë ishte ‘Dua të vdes’..”, deklaroi ajo para një audience të madhe rreth 5 vite më parë./Opinion.al

Share: