Home Gjeo-Ekonomia Bota nuk është më si më parë! Nga Dr. Enriko CEKO

Bota nuk është më si më parë! Nga Dr. Enriko CEKO

Bota nuk është më si më parë. Pandemia aktuale e Coronavirusit 19 është vetëm një shembull i vogël për atë që bota ka ndryshuar. Prej janarit të këtij viti, mundet që të jetë filluar një prej krizave më të mëdha botërore. Dhe kjo, sipas pikëpamjes time, një krizë që filloi më së shumti në një mënyrë artificiale se sa reale, por që megjithatë, tashmë ka filluar dhe po precipiton me shpejtësi në pothuajse çdo cep të globit.

Vendet më të prekura deri tani janë Kina, Irani, Italia dhe Spanja.

Me përjashtime të pakta në disa vende afrikane dhe amerkanolatine, virusi ka gjetur hapur portat për të hyrë kudo. Personalisht nuk shqetësohem shumë për paratë që kanë humbur miliarderët në bursat dhe tregjet e kapitaleve, ekonomia virtuale. Jo. Mua më shqetëson shumë ekonomia e firmave të vogla dhe të mesme, ekonomia reale, ekonomia e njerëzve të thjeshtë. Janë firmat e vogla dhe të mesme në tërë botën që përbëjnë themelin e ekonomisë. Ato janë pjesa më vibrante e jetës politike, ekonomike, sociale, ligjore, etj, në çdo vend të botës, pra edhe për ekonominë shqiptare.

Të mos harrojmë se janë pikërisht këto firma të vogla dhe të mesme që përbëjnë edhe makinerinë më të madhe të punësimit në vend. Këto firma të vogla dhe të mesme kanë aftësi jo të madhe paguese dhe nëse nuk bëjnë biznes, nuk kanë mundësi për gjenerim parash. Si rezultat, nuk ka kryerje pagesash dhe më tej nëse nuk ka kryerje pagesash, nuk ka paga punonjësish dhe nëse nuk ka paga punonjësish, nuk ka konsum dhe nëse nuk ka konsum, atëhere ekonomia merr rrokullimën.

Nëse i shtojmë kësaj rrokullime edhe buxheti e shpartalluar të shtetit, që pjesën më të madhe të shpenzimeve e ka të orientuar drejt shpenzimeve joprodhuese dhe jo nxitëse për ekonominë dhe biznesin, atëhere, ekonomia është në prag të falimentimit të dukshëm për sytë e sejcilit prej nesh, se që është e falimentuar, ne specialistët e kemi thënë prej kohësh.

Në kushtet që është ekonomia dhe sektori privat në Shqipëri, nëse kjo situatë do zgjasë rreth 40 – 45 ditë, rreziku që sektori privat të mos ketë aftësi paguese është mjaft pranë.
Dalja nga gjendja është një kombinim i shtimit të shpenzimeve qeveritare për nxitjen e ekonomisë dhe kalimi i parasë në formën “cash” në numrat e llogarive të qytetarëve.

Shtimi i shpenzimeve qeveritare për nxitjen e ekonomisë ka të bëjë me dhënien e mundësisë që sa më shumë subjekte të vogla dhe të mesme të bëjnë punë publike me paratë e buxhetit të shtetit dhe kjo (edhe pse buxheti është në gjendjen më të keqe të tij në 20 vitet e fundit), është e mundur, duke përdorur financime që sot ende shkojnë për PPP dhe koncensione jo produktive.

Kalimi i parasë “cash” në numrat e llogarive të qytetarëve është i mundur pasi rezerva monetare e Bankës së Shqipërisë është e lartë, krahasuar me normën që duhet të ketë realisht. Gjithashtu, gjendja prej më shumë se 10 miliardë dollarë në bankat e nivelit të dytë si para kursime të qytetarëve mund dhe duhet të shërbejë si një fuzion për individët, familjet, bizneset dhe qeverinë.

Shembuj të përdorimit të parasë publike për nxitje të ekonomisë janë Holanda, Gjermania, Franca, Kroacia, Slovenia, etj, ndërsa shembuj të fuzionit të parasë “cash” te qytetarët janë Hong Kongu, Suedia, Finlanda, Zvicra, etj.

Personalisht besoj se e tërë çështja lidhet me mendësinë e atyre që drejtojnë vendin. Bota nuk është më si më parë. Nëse ne vazhdojmë me të njëjtën mendësi, atëhere do mbetemi përsëri shumë prapa botës, dhe, nëse kjo ndodh, atëhere do jetë e pamundur që t’a arrijmë atë. Dhe nëse ndodh kjo, bota do na trajtojë si qenie ekzotike, që nuk është ndonjë gjë e këndshme.

Share: