Home KRYESORE COVID-19/ Pipero: Kurba do të nisë rënien në javën e dytë të...

COVID-19/ Pipero: Kurba do të nisë rënien në javën e dytë të prillit

Mjeku Pëllumb Pipero, është shprehur se deri tani, 14,6% e mostrave kanë rezultuar pozitiv, gjë që, sipas tij, është një përqindje e afërt me vendet e tjera.

Sipas Piperos, nëse masat respektohen nga qytetarët, në javën e dytë të prillit do të kemi ulje të rasteve të reja me koronavirus në vend.

Mjeku thotë se të dhënat tregojnë që masat kanë funksionuar, por duhet që qytetarët të kenë durim dhe të respektojnë masat dhe në ditët në vijim, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të afërmit.

“Tashmë kemi hyrë në javën e katërt. Për mendimin tim, në rast se rastet janë gjurmuar hap pas hapi, rastet e reja me shifra 11, 15 apo 13, janë trend pozitiv brenda të keqes së madhe që ka kjo epidemi. Java e dytë e prillit do të flasë shumë. Në rast se gjurmimi i rasteve vijon me kujdes dhe nëse qytetarët vazhdojnë të respektojnë masat e qeverisë dhe këshillat e mjekëve, unë besoj se java e dytë e prillit do të na gjejë në fillim të thyerjes së kurbës. Fakti që kemi një numër gradual, jo dyfishin apo trefishin e rasteve ditë pas dite, do të thotë se masat kanë dhënë efekt”,-tha Pipero.

Në lidhje me kurën që përdoret për të infektuarit me COVID-19, Pipero sqaroi: “Kemi respektuar skemat e mjekimit më të përparuara që janë zbatuar në Kinë, Itali dhe vendet e tjera. I kemi dhënë një ose dy antibiotikë, oksigjenoterapi, është mjekim kompleks dhe jemi treguar të kujdesshëm”./ Opinion.al

Share: