Home KRYESORE Dom Gjergji sjell disa këshilla të drejta për informim të duhur

Dom Gjergji sjell disa këshilla të drejta për informim të duhur

Të dashur miq,

Për çështjet mjekësore vazhdoni të ndiqni këshillat e mjekëve dhe masat që ka ndërmarrë qeveria.

Unë kam disa këshilla të tjera:

Këshilla ime ka të bëjë me zgjedhjen e informacionit. Duke u kërkuar ndjesë miqve gazetarë më duhet t’ju them atyre që lexojnë nëpër internet e shohin tv disa gjëra:

  1. Mos hapni çdo link portali që lexoni me tituj të çuditshëm qoftë katastrofikë e qoftë sigurues. Në përgjithësi pas një portali nuk ka gjithmonë njerëz të kujdesshëm apo kompetentë, por shpesh (jo gjithmonë) janë djem apo vajza që përkthejnë nga gjuhë të tjera (shpeshherë keq) ose vendosin vetëm tituj sensacionalë pa asnjë përmbajtje;
  2. Për informacionin tuaj ndiqni vetëm edicionet e lajmeve të një televizioni kombëtar ose një tjetër tv që ju duket serioz, por vetëm në edicion lajmesh që nuk zgjat më shumë se 30 minuta. Pas 30 minutave bëni diçka tjetër;
  3. Këto ditë, për këshilla mjekësore, lexoni vetëm çka del prej ISHP (Insituti i Shëndetit Publik) ose, nëse njihni gjuhë të tjera, atë çka servirin mediat ndërkombëtare serioze si dhe rregullat e OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë).
  4. Gjithë kohën tjetër që keni në dispozicion kalojeni me njerëzit e afërm, në punë ose duke lexuar libra, mundësisht letërsi.
  5. Kultivoni një mendim pozitiv, sidomos duke ndjekur ndonjë spektakël humori apo duke parë ndonjë film në platformat e ndryshme (hiqjuni telenovelave).
  6. Rrjetet sociale, edhe në kohë normale, kur përdoren pa kriter, shkaktojnë trishtim. Në këtë kohë mundohuni t’i kufizoni akoma më shumë.
  7. Miqve të mi gazetarë u kërkoj të mos rendin pas klikimeve apo audiencës me tituj bombastikë, por t’i përmbahen kritereve profesionale të informimit për të mos përhapur panik të kotë.
  8. Për ata që duan dhe besojnë nuk bën keq, madje ben shumë mirë të hapni zemrën ndaj Zotit e t’i flisni atij si fëmijët prindërve të tyre.
    Ai është i mirë e i madh në dashuri!

Forca! Së bashku do ta kalojmë edhe këtë vështirësi.

Përqafime virtuale të gjithëve!

Dom Gjergji

Share: