Home KRYESORE Kur duhet të shqetësohemi për koronavirusin

Kur duhet të shqetësohemi për koronavirusin

Exit News është konsultuar me disa specialistë të sëmundjeve infektive dhe të mushkërive dhe dëshiron të informojë lexuesit për disa nga rastet kur ata duhet të shqetësohen për mundësinë e prekjes nga koronavirusi.

Personat që nuk kanë udhëtuar jashtë shtetit, veçanërisht në vendet e prekura, apo nuk kanë qenë në kontakt me njerëz që kanë udhëtuar, kanë pak arsye të shqetësohen. Koronavirusi është një grip i cili mund të merret vetëm përmes përcjelljes së virusit nga një person tek tjetri.

Përcjellja e koronavirusit bëhet përmes kontaktit me frymën e një të infektuari, përmes prekjes së një të infektuari apo prekjes së një objekti të prekur nga një i infektuar.

Rreziku i koronavirusit qendron në faktin se në raste të veçanta ai mund të çojë në pneumoni, pra infeksion të mushkërive, çfarë shkakton ndërlikime të frymëmarrjes, dhe në rastet më të rënda mund të sjellë vdekje.

Koronavirusi nuk dallon nga gripërat e tjera dhe në mbi 80 për qind të rasteve të indentifikuara ai ka kaluar po aq lehtë sa një grip i zakonshëm. Prandaj, personat që kanë simptoma gripale normale pa asnjë ndërlikim në frymëmarje nuk duhet të shqetësohen në mënyrë të veçantë.

Në rastin tipik, një personi i infektuar me koronavirus në gjendje serioze ka të gjitha këto simptoma: temperaturë të lartë, kollë të thatë pa sekrecione, mos mbushje me frymë, dhe lodhje.

Në mënyrë të veçantë, duhet të dyshohet për infektim në rastin kur fillon një rritje e temperaturës, shoqëruar me shenjat apo ndjesinë e gripit të zakonshëm, por që brenda pak orësh shoqërohet me vështirësi në frymëmarrje, si pamjaftueshmëri për tu mbushur me frymë, frymëmarrje të rënduar, etj.

Në përgjithësi, çdo gjendje me temperaturë dhe me vështirësi në frymëmarrje duhet të shërbejë si shkak për t’u shqetëuar.

Personat që vuajnë nga sëmundje të tjera, të tilla si diabeti, çrregullimet e tensionit dhe probleme kardiake, probleme të veshkave apo probleme të mushkërive, të cilët preken nga simptoma gripale janë më të rrezikuar. Ata duhet të shqetësohen, veçanërisht kur kanë vështirësi në frymëmarrje.

Personat në moshë mbi 60 vjeç, që vuajnë nga sëmundje të tjera, dhe simptoma më të rënda se normale të gripit duhet të shqetësohen.

Personat që dyshojnë apo janë të shqetësuar se mund të jenë infektuar duhet të paraqiten pranë mjekëve infeksionistë, pasi ata janë të specializuar për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një gjendje të zakonshme gripale apo gjendje të ndërlikuar të koronavirusit./Exit.al

Share: