Home KRYESORE Meta-Ramës: Mos e provoko më Haradinajn, ka gati 40 varre në oborr

Meta-Ramës: Mos e provoko më Haradinajn, ka gati 40 varre në oborr

Në konferencën për shtyp, një ditë para tubimit në bulevard, Presidenti Meta foli edhe për përplasjet mes Ramës dhe Haradinajt, sa i takon heqjes së taksës ndaj Serbisë.

Ndërsa iu referua Kryeministrit si “gruaja e Bilalit”, kreu i shtetit i bëri thirrje Ramës të mos e provokojë më Haradinajn pasi ai është hero i gjallë.

“Gruaja e Bilalit e ka kaluar me kohë kufirin dhe vijën e kuqe edhe në raport me çështjet ndërkombëtare. Po e provokon shumë Haradinajt. Gruaja e Bilalit e përkrahu i pari taksën 100%, pastaj kur i thanë se ke një foto në kundërshtim me ligjin, filloi të merrej me Ramushin. Askush nuk ka nevojë për të marrë mend nga gruaja e Bilalit. Të mos e provokojë më Haradinajn! Mund të ketë shumë probleme, por për të gjithë shqiptarët, ai është një hero i gjallë, ndërsa gruaja e Bilalit është turpi i turpit. Të mos merret më me familjen dhe me figurën e Haradinajt, pasi në oborrin e tij ka gati 40 varre. Ne nuk mund të pranojmë lojëra të tilla, përçarëse, e provokative”, tha Meta.

Kujtojmë këtu se kryeministri Rama ka dalë në krah të homologut kosovar, pas vendimit të qeverisë së tij për të hequr taksën ndaj importit të produkteve të lëndës së parë nga Serbia, teksa ka akuzuar Haradinajn se ka nisur një fushatë baltosje ndaj Kurtit.

“Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!

Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës,se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!

Albin Kurti është në rrugën e duhur! Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës.”, shkruante Rama./Opinion.al

Share: