Home KRYESORE Nuk është grip i thjeshtë! Izolimi juaj është provuar si masa më...

Nuk është grip i thjeshtë! Izolimi juaj është provuar si masa më efektive!

Nga Erion Dasho*

Masat e izolimit social janë të bezdisura dhe shkaktojnë presion ekonomik, përveç atij psikologjik dhe social, por (deri më sot) janë të vetmet masa që janë provuar si të efektshme kundër COVID-19.

Dje foli një grup shkencëtarësh nga Imperial College i Londrës, grup që drejtohet nga Dr. Ferguson i cili ka qënë në krye ose pjesë e luftës kundër disa prej epidemive më të rënda të viteve të fundit (përfshi Ebolan në Afrikë).

Mesazhi i dokumentit të publikuar dje besoj ka qënë arsyeja e masave që po merren në Angli dhe në EU. Sot për sot, të vetmet armë me efekt të provuar kundër SARS-CoV-2 (shkaktarit të COVID-19) janë ato jo-mjekësore:

  1. Izolimi i personave të prekur dhe karantina e personave të kontaktit
  2. Mbyllja e shkollave dhe vendosja e kufizimeve për biznesin
  3. Kufizimi i kontakteve sociale

Këto masa kanë efekt pothuajse të barabartë (ku secila prej tyre vlerësohet se e ul me 30-35% mundësinë e transmetimit të virusit).

Në UK vlerësohet se në mungesë të masave rrezikojnë të vdesin nga 410 mijë deri 550 mijë persona. Në varësi të masave që merren (të veçanta nuk rekomandohet, por patjetër në kombinim), ky numër mund të ulet nga 6,000 deri në.120,000. Mbyllja e shkollave si masë e veçuar ka pak ndikim, por kur u shtohet masave të tjera ka efekt shumë më të madh.

Një nga mesazhet e rëndësishëm të studimit ishte ai që kanë komunikuar shumë liderë botërorë. Epidemia do të vihet nën kontroll kur një pjesë e popullatës, më saktë rreth 60% deri 70% e saj do të fitojë imunitet. Në mungesë të vaksinës, imuniteti sot fitohet vetëm kur infektohesh nga virusi. Fatmirësisht, 80% e personave të infektuar nuk sëmuren dhe, nga pjesa që sëmuren, vetëm pak prej tyre kanë nevojë për trajtim mjekësor në spital.

Rekomandimi kryesor është marrja e masave (sot për sot jo mjekësore) që ngadalësojnë përhapjen e virusit në popullatë dhe lejojnë sistemin shëndetësor të trajtojë të sëmurët. Kjo bën diferencën midis jetës dhe vdekjes për shumë persona, sidomos për ata të moshuar.

Natyrisht vaksina mund të bëjë edhe më tej diferencën (madje edhe t’a zgjidhë problemin) dhe janë të paktën 5-6 kompani serioze që janë duke punuar për ta prodhuar. Shpresë ka shumë, por një afat të saktë se kur vaksina do të jetë gati akoma jo.

Mesazhi për të gjithë është respektimi me rigorozitet maksimal i masave parandaluese, të cilat duken ekstreme, por janë të efektshme.

  1. Lani duart!
  2. Respektononi higjienën e teshtimës, kollitjes dhe pështyrjes!
  3. Respektoni 100% masat e izolimit (të prekurit), karantinës (personat e kontaktit) dhe distancimit social e qarkullimit!

Për çdo informacion kërkoni këshilla mjeksore me telefon (nga një profesionist) dhe për çdo dyshim se mund të jeni të infektuar telefononi në numrin e urgjencës 127.

Shpresoj mos të bezdiseni duke e lexuar këtë postim të gjatë. Uroj ta kaloni sa më lehtë këtë periudhë.

  • Autori është mjek!
Share: