Home KRYESORE Jeta pas koronës: Distopia që po troket!

Jeta pas koronës: Distopia që po troket!

Nga Ergys Mërtiri

Nën ethet e kërcënimit pandemik, shkrimtarë, mendimtarë e intelektualë të shumtë nëpër botë kanë folur për efektet që kjo situatë do të sjellë. Shumë prej tyre besojnë se bota pas koronavirusit do të jetë ndryshe dhe përfytyrimet mbi të kanë qenë të shumta. Të mbyllurit në shtëpi, nën kërcënimin e vdekjes dhe ankthit të shkaktuar prej saj, natyrisht që përbën një shkundje, e cila, sipas tyre, do të ketë efekt të jashtëzakonshëm, që do të reflektohet mbi jetën, politikën, kulturën dhe sjelljen tonë. Sipas këtij përfytyrimi kjo sëmundje erdhi për të akpërcyer një epokë, duke hapur dyert e një tjetre.

Në fakt, më shumë se mbi të ardhmen, kjo sëmundje na tregon shumë mbi të tashmen tonë, të cilën shumëkush nuk e vëren. Ajo na rrëfen mbi mënyrën sesi i krijojmë bindjet, sesi reagojmë ndaj rrethanave, dhe se çfarë kërcënimesh na kanosen për shkak të sjelljeve tona. Kemi të bëjmë me një rast të padëgjuar më parë në historinë njerëzore, ku një panik global krijohet më shumë nga vetë ne dhe mënyra jonë e të jetuarit, menduarit e komunikuarit sesa nga vetë burimi i panikut, sëmundja.

Nëse do ti referohemi pandemive të mëparshme, do të qeshnim vërtetë me frikërat e sotme. Epidemi të tilla si ajo e kolerës, murtajës, tifos, etj, kanë qenë vërtetë shfarosëse dhe ideja se njerëzimi rimbyllet në karantinë, për herë të parë pas kaq kohësh, që nga zhdukja e tyre, tregon se ka diça që nuk shkon me epokën tonë. Shifrat e vdekjeve dhe rrezikshmëria e sëmundjes nga Covid 19 janë në nivele të përafërta ma ato të gripit stinor dhe shumë më të ulëta se një sërë sëmundjesh që sot e gjithë ditën shkaktojnë qindra mijëra viktima nëpër botë si, kanceri, AIDS, malarja, etj. Bota ka kaluar disa pandemi gjatë këtyre dekadave, shumë më vrasëse dhe të rrezikshme, – siç ishte ebola, sars-i, gripi i derrit e ai shpendëve. – por nuk u mbyll në shtëpi për të shkatërruar ekonominë dhe burimet e jetesës.

Më shumë sesa perceptim i ndonjë rreziku, paniku ishte një produkt i mediave, të cilat e bombarduan publikun me një pandemi lajmesh terrorizuese, të cilat i detyruan qeveritë të marrin masa vetëvrasëse, për të mos humbur mbështetjen popullore. Sigurisht, pjesa më e madhe e kësaj furtune u inskenua politikisht për të goditur forca qeverisëse, ashtu siç pati edhe krerë shtetesh që e përdorën këtë për të forcuar pozitat e tyre në rënie. Paniku pamundëson gjuhën e arsyes dhe i bën turmat kërcënuese. Nën tërbimin e tyre, thuajse të gjithë aktorët publikë, përfshi këtu edhe ekspertë, u detyruan të konformohen e vetëcensurohen, për të shmangur histerinë e turmave, ashtu siç pati edhe shumë të tjerë që e udhëhoqën këtë histeri, duke shfrytëzuar situatën për më shumë mbështetje prej publikut.

Pra, realiteti sot nuk krijohet nga arsyeja, por nga një mënyrë tjetër komunikimi, që i përgjigjet shoqërisë së spektaklit dhe hutimit. Një nga teoricienët më të rëndësishëm të komunikimit Marshall McLuhan e quan këtë realitet narcizist, i karakterizuar nga mpirja. Ashtu si tek Narcisi, i shtangur prej kontaktit me imazhin e vetes të pasqyruar në ujë, mpirja është një reagim refleksiv i shoqërisë sonë, përballë presioneve që krijon kjo formë komunikimi e prodhuar nga mediat. Si një zgjatim i vetë qenies njerëzore, media e sotme intensifikon presionet duke sjellë mpirjen e publikut. Në fakt, vetë forma e shoqërizimit që vjen nga kjo mënyrë komunikimi karakterizohet nga mungesa e thellë e zhvillimit të të menduarit, njëfar gafleti kolektiv i shndërruar në mënyrë jetese.

Nga ky këndvështrim, mund të themi se, më shumë sesa një derë për të dalë në një epokë të re, kjo pandemi përbën kulmimin e kësaj mënyre të çoroditur jetese që ka prodhuar kultura moderne e të mosmenduarit. Paniku global nga një sëmundje aspak shfarosësese si kjo, është tregues i një çmendurie globale të krijuar nga mjetet e komunikimit që kemi në përdorim. Ne jetojë në një botë të dominuar nga komunikimi përmes mediave, natyra e të cilit ka idiotizuar shoqërinë. Kultura, politika, mjedisi social, janë produkt i kësaj marrëdhënieje dehumanizuese, e cila na kthen në instrumente të spektaklit, vanitetit, cektësisë dhe iracionalitetit që ajo kultivon.

Kjo do të thotë se shoqëritë tona nuk kanë shumë gjasë të refelktojnë, për sa kohë goditja e marrë nga pandemia është gjendje mpirjeje dhe jo kthjellimi. Për rrjedhojë, nëse këto ngjarje mund të sjellin ndonjë ndryshim, ai mund të jetë vetëm një stad tjetër i hutisë shoqërore dhe dominimit të instrumenteve të komunikimit mbi individin. E vetmja shpresë është që, njerëz me kthjelltësinë dhe integritetin e duhur, të reflektojnë dhe të angazhohen ta përcjellin këtë shqetësim në një nivel më të gjerë shoqëror. Në mos, makthet distopike do të jenë më afër se kurrë.

Share: