Home KRYESORE Koronavirus dhe “masat inteligjente”

Koronavirus dhe “masat inteligjente”

Shpesh miq realë dhe virtualë më kërkojnë të jap shembuj të atyre që i kam quajtur “masa inteligjente” dhe për t’ju përgjigjur interesimit, do të mundohem të jap çdo ditë një shembull të tillë.

Dje fola në “ABC-në e mëngjesit” rreth javës së punës me katër ditë. Sot do të jap një shembull tjetër.

TESTIMI I TË PUNËSUARVE NË FASON DHE CALL CENTER

Testimi JAVOR (ditën e hënë paradite) i të punësuarve në fason dhe call center ka përfitim të dyfishtë:

Së pari, redukton ndjeshëm transmetimin e SARS-CoV-2 në këtë grup popullate të rrezikuar, ku punonjësit qëndrojnë tetë orë në mjedise ku jo gjithmonë është e mundur të respektohet distanca 2m.

Së dyti, duke testuar këtë grup popullate shohim dinamikat e infeksionit në popullatën e përgjithshme dhe merren të tjera masa inteligjente mbi “shtrëngimet” apo “lirimet” e nevojshme.

Për të ulur kostot, testimi mund të kryhet me protokollin 10 tamponë – 1 test dhe vetëm kur testi rezulton pozitiv, testohen 10 personat në fjalë. Kosto e testit 10 në 1 mund të ndahet midis pronarit dhe shtetit, kurse kosto e testeve të tjera, kuptohet se është përgjegjësi e shtetit.

Në këtë mënyre kostot mbahen relativisht të ulta, kurse përfitimi është i konsiderueshëm dhe i padiskutueshëm (siç edhe ka treguar shembulli i shumë vendeve).

Share: