Home KRYESORE Dhuna ndaj të miturit, Avokati i Popullit nis shqyrtimin e rastit

Dhuna ndaj të miturit, Avokati i Popullit nis shqyrtimin e rastit

Institucioni i Avokatit te Popullit duket ka nisur shqyrtimin e rastit të dhunimit të të miturit nga efektivat i policisë, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në zonën e Liqenit Artificial dhe bërë publike nga JOQ

Në një deklaratë zyrtare, institucioni thotë se i ka dërguar kërkesë për informacion institucioneve përgjegjëse, ndërsa i kërkon organeve kompetente të ndërmarrin veprimet urgjente ndaj punonjësve të përfshirë në dhunimin e të miturit.

Avokati i Popullit thekson fort se nuk duhen cënuar të drejtat e qytetarëve për ruajtjen e masave anto-covid të marra nga qeveria.

Deklarata e plotë

Në mediat sociale është publikur një video, ku dallohen punonjësit e policisë së shtetit duke ushtruar dhunë kundrejt një të mituri në afërsi të liqenit artificial të Tiranës.

Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999 “Për Avokati e Popullit, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e shqyrtimit të çështjes për rastin e paprecendent të dhunës së ushtruar nga forcat e rendit publik kundrejt një minoreni.

Institucioni i Avokatit të Popullit u ka dërguar kërkesa për informacion institucioneve përgjegjëse dhe gjithashtu ka vendosur kontakt me prindërit e të miturit të dhunuar.

Veprimet e dhunshme të kryera nga punonjësit e rendit publik janë të patolerueshme dhe AP kërkon nga organet kompetente të ndërmarrin veprimet urgjente karshi këtyre punonjësve, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit. Ndërsa, qeveria ka ndërmarrë një sërë masash, për të garantuar shëndetin e qytetarëve nga COVID-19, autoritetet shtetërore duhet të vlerësojnë dhe të kujdesen, që këto masa mos të cedojnë e çojnë në shkeljen e të drejtave të njeriut në përgjithësi, si dhe të fëmijëve në veçanti, për të bërë të mundur mbrojtjen e qytetarëve dhe fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, e sidomos, kur ato përdoren si mjet ndëshkimi nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë papajtueshmërinë me ligjin. Autoritetet duhet të garantojnë sigurinë e të gjithë qytetarëve të tyre, sidomos të fëmijëve, qoftë nga rreziku i infektimit prej virusit, ose nga dhuna, e cila gjen strehë në këtë periudhë të kufizimit drastik të lëvizjeve.

Në vijim, Avokatit i Popullit në funksion të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, për garantimin me efektivitet të ushtrimit, respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijës, në përfundim të hetimit administrativ për rastin në fjalë do të përgatisë raportin përmbledhës me rekomandimet përkatëse.

Share: