Home Ja Pse Shqipëria nuk behet si Zvicera Klodeta Dibra: Si të bëhesh ‘dikush’ pa qenë ‘askush’

Klodeta Dibra: Si të bëhesh ‘dikush’ pa qenë ‘askush’

Filozofia dhe Morali i tulelëpirësit/-ve

Çdo gjë zë fill që në bankat e shkollës. Më i forti ka përherë të drejtë, qoftë mësuesi qoftë derëtari i shkollës. Kur ata flasin, duhet të tundesh kryet në shenjë miratimi dhe të skicosh buzëqeshje mbi buzë. Nuk i dihet asnjëherë. Të hysh në zemrën e dikujt, që sot apo në një të ardhme të afërt mund të të japë diç, është thelbësore.

Por, duhet të jesh i gatshëm e i parapërgatitur për shumëçka. Duhet të këmbesh paudhësinë me të drejtën, të tradhëtosh shokun e bankës dhe, sigurisht, t’i lëpihesh mësuesit. E kupton se ndonjë notë edhe nuk e meritoje, por shkoi më mirë nga sa e kishe shpresuar. Zbulon se ajo mënyrë sjellje është gjithëherë e dobishme, në jetë, në punë, në marrëdhëniet me të tjerët. Mëson të jesh besnik me padronin dhe tradhëtar me të tjerët, servil me titullarin dhe mujshar me njerëzit e ngratë. Mëson të tundesh kur padroni të ofron një prebendë dhe të ulërasësh kur dikush nën teje të bezdis.

Duhet të mësosh të përdorësh mirë shqisat. Të dish se kur duhet të bësh gjoja, pra të bësh një vesh shurdh e një sy qorr. Duhet të mësosh të hapësh gojën vetëm për të përdorur sa më mirë gjuhën në të gjitha funksionet e saj. Kur gjërat shkojnë për dreq, hiqu se të shpëton urina, vrapo për në banjë.

Më mirë mos të përzihesh me situata të sikletshme, mundet të gabosh. Të dish të fshihesh në çastin e duhur, është jetësore.
Kur vjen koha për të gjetur një punë, gjej tulet e të ndënjurave të një politikani a dikujt të pushtetshmi, është me leverdi. Mjafton të marrësh pjesë në ndonjë mbledhje, të bëhesh i dukshëm, të shtrëngosh dorën, të mjaltosësh gjuhën e të servilosesh si spitullaq në evente të ndryshme. Të duhet ndonjë muaj të bësh shpërndarësin e trakteve, ngjitësin e pllakateve e mender lëpirësin /tulelëpirësin apo këmbëlëpirësin dhe më e madhja u bë. Ai, i bindur se gjuha jote prodhon mjaftueshëm serotoninë, do të të japë ndonjë funksion, do të të rehatojë diku.
Nga ky çast e tutje, nëse do të duash të bësh karrierë, duhet të përmirësosh teknikat e lajkatimit dhe t’i përdorësh me profesionalizëm të lartë.

Duhet të jesh gjithnjë e më tepër servil e hipokrit, sepse kësisoj basti rritet. Do të rregullohen të afërmit e tu, fëmijët, miqtë e ngushtë.

Dhe pra, edhe sikur ta dish se do harxhosh atë çka mbetet nga gjuha jote, duhet t’i shkosh deri në fund.

Do të plakesh. Të tutë do të jenë rregulluar, por bota, bota shkon keq e më keq. Falë edhe teje dhe të ngjashmëve me ty. Falë servilizmit tënd, tradhtive të tua, marrëzive të tua.
Do shihesh në pasqyrë dhe do buzëqeshësh duke menduar se në fund të fundit bëre detyrën tënde: rregullove familjen. Dhe nëse qyteti yt, komuniteti yt, vendi yt shkojnë për dreq, punë e tyre!

E ç’mund të bësh ti? Ti u tregove i zoti në kërkimin e një mendereje të bukur për gjuhën tënde. Të tjerët, ndoshta, parapëlqyen luftën, kritikën, kundërshtitë, parapëlqyen të mbeten qytetarë në sjellje e intelektualë në mendësi. Këta të fundit ruajtën të pacënuar dinjitetin, lirinë e tyre, por në të vërtetë mbeten të ngratë.

Por çfarë ndryshuan? Asgjë, asgjë. Dhe e di përse? Sepse, përsa kohë do të jesh ti e të ngjashmit si ti, pra tulelëpirësit, e vetmja gjë që mund të ndryshohet janë tulet e menderes për lëpirje.

Share: