Home Gjeo-Ekonomia Koronavirusi rrit deficitin buxhetor, shtohen ndjeshëm shpenzimet sociale

Koronavirusi rrit deficitin buxhetor, shtohen ndjeshëm shpenzimet sociale

Teksa të ardhurat buxhetore shënuan një ulje dramatike gjatë muajit prill, me rreth 30 për qind, për shkak të kufizimeve që shkaktoi pandemia Covid-19, shpenzimet buxhetore u rritën lehtë në raport me prillin e vitit 2019, duke ndikuar në këtë mënyrë në thellimin e ndjeshëm të deficitit buxhetor.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, gjatë prillit, shpenzimet buxhetore arritën gjithsej në 41,7 miliardë lekë më një rritje 4,1 për qind në raport me prillin 2019. Shtimi i shpenzimeve këtë muaj u udhëhoq nga rritja e shpenzimeve për pagesa sociale.

Transferimet sociale që u dhanë për shkak të pandemisë shënuan vlerën e 7,1 miliardë lekëve në muajin prill, duke pësuar një rritje me 238 për qind në raport me prillin e vitit të kaluar.

Teksa fondet buxhetore për pagesat sociale u rritën, alokimet për shpenzimet Operative dhe Mirëmbajtje dhe pushtetin vendor pësuan rënie përkatësisht me 22 dhe 45 %.

Gjithashtu ulje shënuan edhe shpenzimet kapitale, të cilat në prill pësuan rënie me 7,3 për qind në raport me vitin 2019. Ecuria e këtij zëri edhe gjatë pandemisë ka qenë në normalen e tij historike.

Shpenzimet korrente  u rriten me 6 për qind sipas pasojë e fondeve shtesë për sektorin e shëndetësisë me qëllim blerjen e furnizimeve të nevojshme.

Deficiti buxhetor në këtë muaj pësoi rritje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Balanca ishte minus 13,5 miliardë lekë nga një suficit 752 milionë lekë që ishte në prill 2019.

4-mujori, deficiti buxhetor përkeqësohet me 463 %, rriten investimet kapitale

Balanca buxhetore është përkeqësuar ndjeshëm gjatë katërmujorit për shkak se të ardhurat buxhetore kanë rënë rreth 11 për qind dhe nga ana tjetër shpenzimet janë rritur me 2,8 për qind në raport me katërmujorin e parë 2019.

Për pasojë deficiti buxhetor gjatë katërmujorit 2020 arriti në -15,6 miliardë lekë nga një suficit prej 4,2 miliardë lekësh që ishte vitin e kaluar.

Shpenzimet kapitale këtë katërmujor kanë përmbysur tendencën e viteve të shkuara, duke pësuar rritje. Edhe në vite normale shpenzimet kapitale vinin në ulje në muajt e parë të vitit, për shkak të vonesave në tendera, por këtë vit gjatë katërmujorit shpenzimet për investime kapitale arritën në 16,5 miliardë lekë me një rritje 12.8% në raport me janar-prill 2019.

Edhe përgjatë 4 -mujorit shpenzimet operative dhe ato për pushtetin vendor ranë përkatësisht me -5.4% dhe -24.4%.

Zëri me rritjen më të lartë të shpenzimeve ishin pagesat sociale me një vlerë 14,5 miliardë lekësh, me një rritje 91 për qind në raport me vitin 2019, për shkak të alokimeve direkte që qeveria bëri për “ndihmën financiare”./ Burimi: Monitor

Share: