Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera MJAFT “PATRIARKËVE” Nga Fatos Tarifa

MJAFT “PATRIARKËVE” Nga Fatos Tarifa

E themeluar në vitin 1789, pra 231 vite më parë, Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan përbëhet sot nga 435 anëtarë, të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga populli, të cilët përfaqësojnë, proporcionalisht me popullsinë e çdo shteti, të pesëdhjetë shtetet e Shteteve të Bashkuara, pra një popullsi 330 milionëshe.

Mos u çudisni! Nga këta 435 anëtarë të Dhomës Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, vetëm 14 prej tyre vazhdojnë ta mbajnë mandatin e përfaqësuesit (të fituar në zgjedhje të përgjithshme legjislative në çdo dy vjet), për një periudhë kohe më të gjatë sesa Gramoz Ruçi, Sali Berisha dhe Fatmir Mediu në Kuvendin e Shqipërisë (para dorëzimit të mandatit të këtyre dy të fundit vitin që shkoi) dhe vetëm 18 prej tyre vazhdojnë të jenë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të atij Kongresi për një kohë më të gjatë sesa Pandeli Majko, Dashamir Shehi dhe Ilir Meta (para se ky i fundit të merrte postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë).

Thashë “mos u çudisni!” sepse Kuvendi i Shqipërisë është pasqyra më e mirë që dëshmon defektetet e mëdha të këtij sistemi politik, që e krijuam gati 30 vite më parë, pas shembjes së socializmit shtetëror, dhe që vazhdojmë ta quajmë nominalisht “republikë parlamentare”. Anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë, që janë në numër rreth 40 herë më shumë për frymë popullsie sesa anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kanë qenë e janë përgjegjës ndër më kryesorët për të gjitha patologjitë e sistemit politik që kemi krijuar dhe për rrugën e gjatë, të pasigurt, të mundimshme e tepër të dhimbshme që kemi ndjekur në këto tri dekada për t’u bërë një shoqëri normale dhe pjesë e familjes europiane.

Kushtetuta(t) dhe ligjet që janë miratur nga Kuvendi i Shqipërisë, qeveritë inkomptente që janë votuar nga anëtarët e regjimentuar të tij, dy a tre presidentë që janë zgjedhur nga ai Kuvend jo për personalitetin dhe meritat e tyre, por si kalkulime në një loje bixhozi, favoritizmi dhe emërimet klienteliste në sistemin e drejtësisë (që ndër vite e humbi thuajse çdo tipar drejtësie), mbyllja e syve përpara korrupsionit dhe krimit të organizuar, që u bënë endemik në këtë sistem etj.—të gjitha këto e kanë bërë figurën e anëtarit të Kuvendit të dyshimtë dhe, në mjaft raste, të përdhosur.

Ka ardhur koha të kemi një parlament të ri, një organ legjislativ vërtet përfaqësues të interesave të qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur koha t’u kursejmë qytetarëve të këtij vendi miliona dollarë, që sigurisë dhe mirëqenies së tyre ua marrin shpenzimet e shumta për një numër kaq të madh e të panevojshëm deputetësh (e përsëris, 40 herë më shumë për frymë popullsie sesa numri i anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, vendit më të pasur të planetit). Kushtetuta dhe ligjet janë bërë jo që të jenë të përjetshëm, as që të kënaqim interesat e partive politike dhe orekset e politikanëve, por që t’u përgjigjen kushteve të vendit dhe interesave të qytetarëve.

Le ta ndryshojmë Kushtetutën (siç kemi bërë edhe më parë); ky nuk është një sakrilegj. Një ndër aksiomat më të njohura në jurisprudencën ndërkombëtare është ajo se “ligji duhet të jetë i qëndrueshëm, por edhe s’duhet të mbetet i pandryshuar”. Madje, ndryshe nga sa mendojnë shumë njerëz mbi karakterin konservator të Kushtetutës amerikane, Woodrow Wilson, në atë kohë President i Universitetit të Princetonit, shkruante, më 1904, se Kushtetuta [amerikane] nuk u bë që të na rrijë si një “xhaketë e ngushtë” dhe se “madhështia e saj qëndron në elasticitetin e saj”. Le ta pakësojmë numrin e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë nga 140, në 100 ose në 70 dhe le t’u mundësojmë qytetarëve shqiptarë, përmes një sistemi më të thjeshtë e më të drejtpërdrejtë zgjedhor, që t’i zgjedhin vetë ata (jo partitë) përfaqësuesit e tyre në atë Kuvend. Imagine it can be done. It’s easy if you try.

Dhe le ta kufizojmë me ligj numrin e mandateve për të zgjedhurit në Kuvend. Dy mandate do të ishin të mjaftueshëm. Kufizimi i mandateve në organin më të lartë legjislativ nuk është një ide e re. Për dekada me radhë kjo ide është diskutuar në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump e ka përfshirë këtë ide në programin e fushatës për zgjedhjet e reja presidenciale në SHBA. Me dy mandate katër-vjeçarë nuk do të kishim më në Kuvendin e Shqipërisë djem e vajza që zgjidhen deputetë kur janë 20 ose 30-vjeçarë dhe na mbeten “peshqesh në derë” për 15, 20 apo 30 vite me radhë. Me dy mandate nuk do të kishim më në Kuvend të ngjashmit e Berishës, Mediut, Ruçit, Majkos, Metës, Islamit, Dules, Ballës e të tjerë si këta.

Sa realiste është kjo? It’s easy if you try . Por nëse këtë ua lëmë në dorë ta vendosim pikërisht këta deputetë që kemi, me këtë do të kemi vendosur vazhdimësinë edhe më tej të të njëjtit sistem dhe të së njëjtës gjendje thuajse të pashpresë. Sepse pak prej tyre do të donin ta ndryshonin sistemin që i privelegjon ata në kurriz të interesave të qytetarëve. Ka vetëm një mënyrë dhe një rrugë: mobilizimi i gjerë dhe i vendosur qytetar për të kërkuar ndryshimin e sistemit përmes një referendumi popullor.

Share: