Mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore ka përfunduar pas afro katër orësh por anëtarët nuk kanë arritur në dakordësi.
Përfaqësuesi i maxhorancës në tryezë, Damian Gjiknuri, u shpreh për mediat se nuk ka dakordësi për përfshirjen e teknologjisë në zgjedhje dhe reformimin e administratës zgjedhore.
Ai po ashtu theksoi se pjesa më e madhe e partive nuk kanë dëshirë për ndryshimin e sistemit.
“Pika e madhe që na ndan është përfshirja e teknologjisë 100% në zgjedhje dhe reformimi i administratës zgjedhore bazuar në kriteret apolitike. Nga diskutimet që u bënë atje u ra dakord që çështja e sistemit të trajtohet në fazën e dytë të reformës zgjedhore. Sepse ky Këshill Politik ka rënë dakord dhe me shkrim që kjo çështje të trajtohet e para në fazën e dytë ku të gjitha palët duhet të shprehen sepse akoma një pjesë e mirë e politikës nuk ka shprehur dëshirën e mirë për ndryshimin e sistemit. Faza e dytë do të ketë reformimin e ligjit për financimin e partive dhe atë të referendumit. Pika më e madhe që na ndan është përfshirja e teknologjisë 100% në zgjedhje dhe reformimi i administratës zgjedhore”, deklaroi Gjiknuri./Opinion.al