Home KRYESORE Rriten krimet në 2019-n, kryesojnë vrasjet, droga dhe ngacmimet seksuale

Rriten krimet në 2019-n, kryesojnë vrasjet, droga dhe ngacmimet seksuale

               Publikuar në : 09:07 – 01/05/20 |2019-a ka shënuar një rritje të nivelit të kriminalitetit, kryesisht sa i përket vrasjeve dhe krimeve që janë kryer në fushën e drogës.

Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT, në “Statistikat vjetore të krimeve, 2019”.

Në vitin 2019, janë evidentuar gjithsej 35.210 vepra penale, 2,2 % më shumë, krahasuar me vitin 2018.

Në 2019, në raport me popullsinë, janë evidentuar 123,4 vepra penale për 10 mijë banorë, nga 120,2 vepra që ishin në vitin 2018.

Krimet që kanë shënuar rritjen më të madhe ishin ato seksuale, me rritje 40%, në 156 raste nga 110 vitin e mëparshëm.

Janë rritur dhe vrasjet me dashje, në 58, nga 51 në 2018-n, duke shënuar nivelin më të lartë nga 2016-a.

Krimet në fushën e drogës janë rritur me 4.3%.

Në rënie ishin krimet e mashtrimeve dhe vjeshjeve, përkatësisht me -7.8 dhe -4.3%.

Autorë të veprave penale

Në vitin 2019, janë regjistruar 43.045 autorë për vepër penale, 8,6 % më shumë, krahasuar me vitin 2018. Numri i autorëve sipas veprave penale përfshin numrin e personave të dyshuar të cilët mund të jenë të pranishëm në më shumë se një vepër penale dhe autori numërohet në të gjitha veprat ku është i dyshuar. Ndërkohë, numri i autorëve pa përsëritje në veprat penale, në vitin 2019 është 36.083 autorë, 4,5 % më pak, krahasuar me vitin 2018.

Në vitin 2019, 33,1 % e autorëve janë të grupmoshës 30-44 vjeç, 28,0 % të grupmoshës 18-29 vjeç dhe 25,7 % i përkasin grupmoshës 45-59 vjeç, edhe në raport me popullsinë, renditja e autorëve sipas grupmoshave është e njëjtë.

Të dëmtuar

Në vitin 2019, janë regjistruar 18.858 persona të dëmtuar, 1,3 % më pak, krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2019, të dëmtuarit për krime kundër personit përbëjnë 35,7 % të totalit të personave të dëmtuar.

Në vitin 2019, në totalin e personave të dëmtuar për krime kundër personit, femrat përbëjnë 34,1 % të të dëmtuarve dhe përqindja më e madhe e tyre vihet re në krime seksuale, krime kundër moralit, dinjitetit si edhe krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes.

Procedime penale

Në vitin 2019, numri i procedimeve penale të regjistruara është 30.695 procedime, 2,2 % më pak, krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2019, nga 26.307 procedime penale të përfunduara, 22,1 % e tyre janë pushuar, 38,3 % janë pezulluar dhe 39,5 % janë dërguar për gjykim në gjykatë.

Të pandehur

Në vitin 2019, janë regjistruar 14.721 persona të pandehur, 9,4 % më pak, krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2019, të pandehurit e rritur përbëjnë 97,0 %, të miturit zënë 3,0 % në totalin e personave të pandehur.

Të burgosur

Në 2019, numri i të burgosurve është 5.045, 5,1 % më pak, krahasuar me vitin 2018. Në raport me popullsinë, në 2019 janë 21 të burgosur për 10 mijë banorë, nga 22 të burgosur që ishin një vit më parë. Meshkujt përbëjnë 98,3 % të totalit të të burgosurve. /monitor.al

Share: