Home Gjeo-Ekonomia Top Story/ Qendra Kombëtare e Biznesit, një “oaz” për hapjen e kompanive...

Top Story/ Qendra Kombëtare e Biznesit, një “oaz” për hapjen e kompanive fantazëm nga arabët

Duket sikur vendi ynë është një oaz i paligjshmërisë, ku letrat mund të kopsiten fare lehtë, mjafton të kesh njohjet e duhura dhe të paguash ryshfetin. Tani do tu drejtohemi institucioneve që duhet të kenë nën monitorim bizneset, duke iu bërë të ditur edhe investigimin e Top Story-t. Fillimisht ne u interesuam pranë qendrës së biznesit për të pyetur se si ka mundësi që regjistrohen këto biznese, kur adresat i kanë fiktive.

“Adresa është një e dhënë e detyrueshme, subjekti para sportelisitt duhet të deklaroi detyrimisht një adrese ku do ta ushtroi aktivitetin. Por vendi dhe saktësia e adresës mbetet në vullnetin dhe përgjegjësinë e vetwdeklarimit të vetë subjektit. Qoftë person fizik. Qoftë person juridik. regjistruesi, juristi që merr aplikimin nuk ka kopetenca të verifikojë të dhënat. Qkb nuk ka as trupa inspektuese që të dalin në terren dhe të shohin nëse adresa është e saktë apo jo”, thotë Edmond Vorfi, Drejtor sportelesh në QKB.

Këtu dalim tek një tjetër mangësi e institucioneve në vendin tonë. E para mungesa e një adresari të saktë që duhet të ishte e instaluar në Qendrën Kombëtar të Biznesit. Dhe e dyta se çdo kush mund të hapë një biznes në Shqipëri, qoftë ai terrorist apo mashtrues, me adresë dhe të dhëna të rreme ai bëhet investitor në vendin tonë.

Tani shkojmë tek zyrat e punës, atje ku pronarët e huaj të këtyre biznesve kanë marrë lejen e punës. Edhe këtu duhet të pyesim nëse verifikohet në terren adresa, para se të jepet leja e punës.

“Për shtetasit e huaj që hapin një biznes në Shqipëri, verifikimi në terren nuk është kompetencë e zyrës së punës. Në momentin që ne shohim që ai është i regjistruar aty përfundon procesi I punës tonë. Pjesa e verifikimeve pastaj është kompetencë e inspektorateve të ndryshme që operojnë në terren. Në momentin që ai ka një adresë në QKB detyrimi ynë është që ta pajisim me një leje pune në vazhdimësi”, Zamira Shehaj, Drejtoreshë në Zyrën e Punës.

Pra edhe zyrat e punës nuk verifikojnë asnjë të dhënë të depozituar për të përfituar lejet e punës. Njësoj si në rastin e Qendrës së Biznesit, edhe në zyrat e punës mund të përfitojë leje punë çdo kush, pa asnjë kontroll, edhe sikur personi aplikues të jetë në kërkim ndërkombëtar, të ketë hapur biznes fiktiv apo të jetë një mashtrues.

Top Story iu drejtua edhe inspektoriatit të punës meqënëse puna e tyre prek nga afër terrenin. Titullarët e Inspektoriatit nuk pranuan të jepnin intervistë. Ata na u përgjigjën me shkrim: “Inspektimi i punës lidhet drejtpërsëdrejti me kontroll të punësimit, jemi të fokusuar në verifikimin dhe kontrollin e punëmarrësve në vendin e punës. Në rastin e moszhvillimit të aktivitetit në një adresë të caktuar, pavarësisht se kjo është e deklaruar, për ISHPSHSH-në nuk përbën shkelje për sa kohë nuk kemi punëmarrës për të cilët nuk po respektohen dispozitat ligjore”.

Pra, inspektoriati merret vetëm me kushtet e punës dhe nuk verifikon nëse biznesi ekziston apo jo. Është absurd fakti sesi do ti inspektonte kushtet e punës ky inspektoriat, në servisin e makinave që ndodhet në katin e katërt të një pallati bashkë me 11 biznese të tjera. Më pas ne u interesuam tek drejtoria e Tatimeve. Por edhe aty morëm të njëjtën përgjigje. Ky institucion merret vetëm me detyrimet tatimore të bizneset dhe jo me adresën e tij.

E thënë në mënyrë të përmbledhur, QKB, Zyrat e Punës, Inspektoriati i Punë dhe Drejtoria e Tatimeve, asnjë prej këtyre institucioneve nuk verifikojnë bizneset fiktive në Shqipëri. Dhe pikërisht ky vakum kontrolli nga institucionet shqiptare, është përdorur nga arabët për të ngritur një perandori biznesi në trafikun e qënieve njerëzore.

Top Channel

Share: