Home Gjeo-Ekonomia Amnistia fiskale/Deklarim lekësh dhe pronash,5-10% taksë mbi vlerën totale

Amnistia fiskale/Deklarim lekësh dhe pronash,5-10% taksë mbi vlerën totale

Puna për amnistinë fiskale e njoftuar nga kryeministri Rama duket se po ecën me ritme të shpejta.

Ministria e Financave ka përfunduar draftin ku janë përcaktuar procedurat e aplikimit nga individët dhe bizneset të cilët do të deklarojnë pasurinë e tyre.

Sipas draftit të siguruar nga ABC News, aministia do të përfshijë edhe pasuritë e tjera krahas parave, të cilat deri tani janë mbajtur të pa deklaruara.

Krahas emigrantëve, amnistia synon edhe t’u japë mundësi bizneseve që të deklarojnë pasuritë “në të zezë”.

Aplikimi për deklarimin e pasurive do të bëhet përmes formularëve që priten të hartohen në vijim nga Ministria e Financave. Formularët do të jenë të veçantë në rast se subjektet do të deklarojnë para ose pasuri.

Ato më pas do të kalojnë për shqyrtim në një njësi të posaçme vlerësimi e cila pritet të përcaktojë që burimi i të ardhurave nuk është aktiviteti kriminal.

Në draft parashikohet një pagesë të cilën deklaruesi duhet paguajë një tatim të posaçëm, i cili do të variojë sipas kohës së deklarimit dhe sasisë së pasurisë.

“Në rastet e deklarimit të parave apo pasurive të paluajtshme, deklaruesi paguan:

a) 5 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e parë nga hyrja në fuqi e ligjit
b) 7 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e dytë nga hyrja në fuqi e ligjit
c) 10 për qind të shumës totale të deklaruar për deklarime të kryera në katër muajt e tretë nga hyrja në fuqi e ligjit.”– thuhet në draftin e Ministrisë së Financave.
Pas deklarimit, shteti shqiptar merr përsipër që të mos cënojë asnjërin prej atyre që kanë treguar për pasuritë e tyre që i kanë patur në të zezë. /Opinion.al

Share: